Politike

Kaosi me emrat e Kushtetueses, “gabimisht” në garë edhe Muçi

Përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese po shihet si një proces që parazgjedh fituesin në garë e kjo jo vetëm nga mënyra e renditjes në listë, por edhe për faktin e përfshirjes të të njëjtët emrave në dy vende vakante.
Të gjendur në një numër të pakët kandidatësh, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka propozuar tre emra kandidatësh të njëjtë për dy vende vakante për anëtarë Gjykate Kushtetuese. Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska janë kandidatet e propozuara për dy vendeve vakante për anëtare gjykate, ndërsa po këto lista iu dërguan edhe Presidentit.
Por sikur të mos mjaftonte kjo Parlamenti ka përfshirë në votim edhe Besnik Muçin, i cili tashmë është bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me dekret të presidentit Ilir Meta. Muçi i sulmuar për përzgjedhjen nga Presidenti pasi nuk kishte kaluar fazën e Vettingut, është përfshirë në listën e tre kandidatëve për t’u votuar nga Parlamenti.

Nga mbledhja e komisionit parlmaentar të Ligjeve. Gazeta Si, 5 Nëntor 2019


Në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të Ligjeve në listën për 1 vend vakant për kandidat janë Arta Vorpsi; Elsa Toska dhe Besnik Muçi (i dekretuar nga Presidenti). Sipas Ulsi Manjës kandidati Besnik Muçi është tashmë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi ka marrë dekretin e kreut të shtetit dhe se në raportin final do t’i bashkëngjitet edhe një fakt i tillë. Në një prononcim për Gazeta "Si", kryekomisioneri Manja u shpreh se në seancën e votimit do të jenë vetëm dy kandidatura. Deputeti i opozitës, Andi Përmeti theksoi se në seancë nuk mund të përfshihet votimi i Muçit.

Kryetari i komisionit të Lijgeve, Ulsi Manja. Gazeta Si 5 nëntor 2019


Në lidhje me këtë procedurë, Ida Vodica zëdhënëse e Gjykatës së Lartë tha për Gazeta "Si" se “KED nuk mund të japë asnjë prononcim për këtë çështje, për sa kohë është Kuvendi përgjegjës për vendimmarrjen. Çdo veprim apo deklaratë, në këtë moment nga KED do të ishte në shkelje të ligjit”.
Kështu në seancën e Kuvendit për një vend vakant do të votohen dy kandidatura mes Arta Vorpsit dhe Elsa Toskës. Ndërsa për vendin e dytë vakant do të votohen tre kandidaturat e Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji. Për miratimin e raporteve vetëm vota e deputetit të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi ishte kundër, pasi të tjerët votuan pro. Lista e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të votohet në seancën e 13 nëntorit në Parlament.

Arta Vorpsi kandidate për anëtare për në Gjykatën Kushteutese gjatë seancës dëgjimore në komisionin e Ligjeve. Gazeta 5 nëntor 2019

Deputeti socialist Bashkim Fino pyeti në mbledhjen e sotme nëse dy kandidatet në garë Arta Vorpsi dhe Elsa Toska i plotësojnë kriteret ligjore. Elsa Toska ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Arta Vorpsi këshilltare ligjore në Kushtetuese. Në lidhje me këtë, relatorja e çështjes, socialistja Klotilda Ferhati deklaroi se janë investuar me këshilltarët dhe kanë vërtetuar se ato plotësojnë kriteret si juristë me të paktën 15 vite punë.

Kandidatja për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, duke folur gjatë një mbledhje të Komisionit të Ligjeve. Gazeta Si, 5 nëntor 2019.


Deputetja socialiste theksoi më pas se Kuvendi nuk ka të drejtë të shqyrtojë vlerësimin dhe pikëzimin e kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi roli tyre është i ngjashëm si ai i noterit. “Nëse do të kishte mangësi në dosje ne do t’ia kthenim mbrapsht për plotësim, por në këtë rast nuk na rezulton një gjë e tillë”, theksoi Ferhati.

Ish-ministri Halimi: Procedura me dy kandidatë jo sipas Kushtetutës

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi në një prononcim për Gazeta “Si” shprehet se Besnik Muçi është anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk mund të jetë në një procedurë tjetër emërimi, pavarësisht se Parlamenti shprehet se nuk do ta fusë për votim.
“Të propozosh sot për kandidat ne Gjykate Kushtetuese një anëtar të kësaj gjykate, nuk duket se është në përputhje me ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe po aq me Kushtetutën. Sipas përcaktimeve eksplicite të nenit 127 të Kushtetutës, anëtari Besnik Muçi është me mandat dhe ai nuk mund të jetë kandidat në kuptim të nenit 125”, deklaron Halimi për Gazeta Si.

Eduard Halimi, ish-ministri i Drejtësisë. Gazeta Si, 5 nëntor 2019

Sa i përket procedurës apo tentativës që në Kuvend me datën 13 nëntor do të votohet me dy kandidatura, ish-deputeti e cilëson si në kundërshtim me Kushtetutën. “Neni 125 kërkon të paktën 3 kandidate për një vend dhe nëse ti përcjell 2 kandidatë duket qarte se nuk je në përputhje në nenin 125 te Kushtetutës”, shprehet Halimi për Gazeta Si.


Sipas procedurës, brenda 30 ditëve Kuvendi duhet të miratojë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Në bazën e kësaj për zgjedhjen e një anëtari duhet të ketë një shumicë të cilësuar prej 84 votash, në të kundërt kandidati që është renditur i pari në listë shpallet automatikisht fitues. Mbi bazën e kësaj Arta Vorpsi është më pranë shpalljes si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese, pasi në të dyja rastet ajo është renditur e para në listën për dy vendet vakante.

Me zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi numri total shkon në katër. Vitore Tushaj është vetmja anëtare ekzistuese që i shpëtoi procesit të Vettingut dhe së fundmi presidenti zgjodhi me dekret Besnik Muçin. Ndërsa në proces është përzgjedhja e një anëtari të ri nga ana e presidentit Ilir Meta. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre zgjidhen nga Presidenti, tre nga Parlamenti dhe tre nga Gjykata e Lartë. Procesi i Vettingut shkriu Gjykatën Kushtetuese dhe plotësimi me anëtarë është edhe një nga kushtet e BE-së dhe Bundestagut gjerman. Gjithashtu ndërkombëtarët kërkojnë që Gjykata të shqyrtojë edhe ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë