Ne rrjet

Besa: Nuk votojmë pa gjuhën dhe identitetin shqiptar

Gjuha dhe identiteti shqiptar janë kthyer ditët e fundit në kryefjalën mediatike në Maqedoni, pasi një parti e vogël e shqiptare e opozitës nuk pranon të miratojë ndryshimet kushtetuese për marrëveshjen me Greqinë pa kalimin e ligjit të gjuhës dhe ndryshimin e mënyrës sesi përcaktohet shtetësia në dokumentet zyrtare.

Gazeta Si ka mësuar se Lëvizja Besa dhe kryeministrit Zoran Zaev janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje, pasi partia shqiptare nuk pranon të tërhiqet nga kërkesat e saj.

“Lëvizja BESA nuk voton nëse kërkesat dhe amendamentet e dorëzuara nuk pranohen. Kemi qenë në negociata gjate gjithë kohës dhe nëse këto negociata nuk rezultojnë në favor të shqiptarëve atëherë ne nuk do të votojmë për ndryshimet kushtetuese”, thonë për Si përfaqësues të kësaj partie.

Negociatat vazhdojnë, por burimet pranë Besës bëjnë të ditur Zaev është tërhequr nga premtimi për të negociuar për gjetjen e një zgjidhjeje mbi shtetësinë. Kryeministri socialdemokrat nuk pranon që për shqiptarët të hiqet përcaktimi “qytetar maqedonas i Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe të quhen thjesht qytetarë të vendit fqinj.

Bilall Kasami dhe Zoran Zaev

Sikur të mos të mjaftonte kjo, burime për Gazetën thonë po ashtu se Zaev është tërhequr edhe nga futja e shqipes në rendin e ditës, edhe pse kalimi i ligjit të gjuhës së bashku me ndryshimet kushtetuese ishte njoftuar fillimisht nga Talat Xhaferri.

Kryetari shqiptar i parlamentit maqedonas deklaroi të enjten se procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese nuk do të nisë pa sigurimin e shumicës së nevojshme.

Deri më tani është njoftuar se takimet do të vazhdojnë në nivel partiak, ndërkohë që zyrtarët e Besës thonë se deputeti Fadil Zendeli nuk do të hyjë në seancë derisa Zaev të pranojë kërkesat e lëvizjes.

Arsyeja pse Lëvizja Besa refuzon miratimin e marrëveshjes me Greqinë, është fakti se sipas ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët do të cilësohen në pasaportat e reja si “qytetarë maqedonas”, duke u hequr kështu identitetin e tyre, edhe pse përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së Maqedonisë fqinje.

Ata ngulin këmbë që në pasaportat e asaj që së shpejti do të quhet Maqedonia e Veriut të hiqet fjala ‘maqedonase’ dhe që ata të quhen thjeshtë ‘qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut’.

Pa deputetët e opozitës shqiptare, Zaev nuk i bën dot 80 deputetët e nevojshëm për miratimin përfundimtar të Marrëveshjes së Prespës, por nëse plotëson kërkesat e tyre mund të humbasë votat e tetë ish deputetëve të VRMO DPMNE-së, të cilët kërkojnë me fanatizëm ruajtjen e identitetit maqedonas.

Edhe pse tani duket se ka ndryshuar qëndrim, Zaev deklaroi dy dite më parë se ishte i gatshëm të gjente një zgjidhje për kërkesat e Besës.

Bilall Kasami

“Besa është parimisht e vendosur për këtë çështje, siç janë edhe të tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët kërkojnë mbrojtjen e identitetit të Maqedonisë” deklaroi Zaev. “Lëvizja BESA kërkon heqjen e termit ‘qytetar maqedonas i Maqedonisë së Veriut’ që shqiptarët, turqit, serbët apo romët të mos cilësohen si maqedonas. Po kërkojnë zgjidhje teknike. Gjithsesi shtetësia është maqedonase dhe ashtu do të mbetet. Besa nuk kërkon të ndryshohet shtetësia, por etnia. Po punojmë që të gjendet zgjidhje për formulimet teknike që si shqiptarët dhe bashkësitë e tjera etnike të mos cilësohen si maqedonas”, tha Zaev në një konferencë për shtyp.

Zyrtarizmi i shqipes

Edhe pse tani qeveria maqedonase duket se është tërhequr nga zyrtarizimi i shqipes, në fillim të këtij viti Talat Xhaferi, por edhe disa zyrtarë të qeverisë njoftuan se më nëntë janar parlamenti do të votonte jo vetëm për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të paktit me Athinën, por edhe për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vendin fqinj. Sipas tyre, ligji i gjuhës do të dërgohet më pas menjëherë për botim në Fletoren Zyrtare.

Zyrtarizimi i shqipes ishte një nga kushtet që partitë e vogla të opozitës shqiptare i vunë kryeministrit Zoran Zaev për miratimi e ndryshimeve kushtetuese të Marrëveshjes së Prespës. Dy partitë opozitare shqiptare kanë hartuar tanimë amendamentet përkatëse për ndryshimet kushtetuese që do të përmirësojnë pozitën juridike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Lëvizja Besa ta hartuar katër amendamente, nëpërmjet së cilave kërkon që shqiptarët të jenë shtetformues, që gjuha shqipe të përcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të hiqet emërtimi si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në vend. Gjithashtu lëvizja kërkon ndryshimin e nenit 49 të Kushtetutës që të mos ketë diskriminim në mbrojtjen e entiteteve tjera që jetojnë jashtë vendit si dhe ndryshimin e nenit 75 me qëllim që të gjendet mënyra që kryetari i shtetit të mos bllokoj ligjet që miratohen në Kuvend.

Por në rast se dështon votimi i ndryshimeve kushtetuese dhe Lëvizja Besa nuk mbështet marrëveshjen me Greqinë, kryeministri Zaev pritet të thërrasë Këshillin Qendror të partisë së tij për të diskutuar përgjegjësinë. Mediat në Maqedoni flasin se ai mund të japë dorëheqjen apo të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë