Ne rrjet

Besa dhe Aleanca për Shqiptarët i japin fund koalicionit?

Ndërkohë që Maqedoninë e Veriut e kanë zënë ethet e afrimin të zgjedhjeve presidenciale të 21 prillit, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa përflitet se i kanë dhënë fund pas dy vitesh bashkëpunimi koalicionit mes tyre.

Vendimi i papritur duket se është marrë nga Aleanca për Shqiptarët, e cila i ka dhënë fund koalicionit pak para afatit për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjet lokale në Dibër, ku bashkë me presidencialet do të ketë edhe zgjedhje të pjesshme lokale.

Duke qenë se deri para prishjes së koalicionit, Besa mbështeste kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Agolli, Lëvizja nuk dihet nëse do të marrë pjesë në këto zgjedhje pasi afati për dorëzimin e kandidaturës ka mbaruar mesnatën e së enjtes. Tanimë që kryeministri Zaev ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë me kandidat të vetit, gara për komunën e Dibrës do të zhvillohet mes dy mjekëve njohur, Hekuran Duka nga BDI-ja dhe Arben Agollit. Zgjedhjet për kryetar të komunës në Dibër organizohen për shkak të vdekjes së kryetarit paraprak Ruzhdi Lata, i cili ndërroi jetë nëntorin e kaluar në moshën 65-vjeçare.

Ziadin Sela

Sikur të mos mjaftonte kjo, disa media maqedonase kanë shkruar për një “marrëveshje të fshehtë” mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 5 maj. Sipas burimeve të televizionit Alfa dy partnerët e koalicionit qeverisës Zaev dhe Ahmeti kanë frikë se votat e ASH dhe Besës mund të shkojnë për kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska në rrethin e dytë të presidencialeve.

Një skenar i tillë është mohuar nga Aleanca Për Shqiptarët, duke deklaruar se ajo vazhdon të mbështesë Blerim Rekën, por nuk ka konfirmuar nëse është ende në një aleancë me Besën.

Por sipas raporteve, Aleanca për Shqiptarët ka lidhur një marrëveshje me opozitën maqedonase me kusht që VRMO DPMNE të përkrahë kandidatin e ASH-së për kryetar komune në Dibër në mënyrë që ai të dalë fitues. Nga ana tjetër opozita shqiptare do të përkrahte Gordana Siljanovska-Davkovën për Presidente të vendit në raundin e dytë.

Mediat kanë publikuar tanimë se sondazhet e para mbi kandidatët. Një sondazh i zhvilluar nga agjencia e lajmeve “Makfax” tregon se kandidatja e VMRO-DPMNE është në avantazh me 40,6%. Pas saj radhitet me një diferencë të ngushtë Stevo Pendarovski, kandidati i koalicionit të LSDM-së dhe BDI-së me 36,9%. Ndërkohë kandidati i pavarur shqiptar Blerim Reka i përkrahur nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët 7%.

 

Më Shumë