Menaxhim

BERZH 100 mln euro kredi për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka njoftuar për dhënien e 100 milionë eurove kredi për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri.

Sipas njoftimit nga BERZH, linja e kredisë, e garantuar plotësisht nga qeveria e Shqipërisë, do të sigurojë likuiditet rezervë për agjencinë, në vijim të ndikimit të pandemisë Covid-19 në ekonomi.

ASD-ja do të menaxhojë fondet në rast të kompensimit të klientëve të institucioneve financiare.

“Ne jemi shumë të kënaqur që nënshkruajmë këtë marrëveshje sot, pasi ajo është një kontribut jetik në stabilitetin e sektorit financiar të Shqipërisë dhe demonstron angazhimin e BERZH ndaj vendit. Ne jemi të vendosur të mbështesim Shqipërinë në rimëkëmbjen e saj eventuale nga ndikimi ekonomik i pandemisë dhe do të dëshironim që vendi të kthehej në një rritje të fortë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur. Një sektor bankar i shëndoshë dhe i sigurt është jetik dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar për të kontribuar në këtë drejtim,” tha presidenti i BERZH, Odile Renaud-Basso.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të përfitojë dhe një financim 270 mijë euro nga Fondi i Zhvillimit Teknik në Luksemburg, për përmirësim të institucionit. Projekti përfshin futjen e një procesi të automatizuar pagese, modernizimin e sistemit të raportimit të brendshëm dhe hedhjen e bazave për prezantimin e një sistemi të llogaritjes së primeve të bazuar tek elementët e rrezikut.

ASD-ja ka për funksion të sigurojë depozitat në banka deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe në shoqëritë e kursim-kreditit, deri në 2 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë