Gazeta Si – Nga Kuvendi Kombëtar në Tiranë, Sali Berisha sulmoi kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij, ishte ai që tentoi të asgjësojë Partinë Demokratike, duke i marrë vulën.
Kreu i PD, duke iu drejtuar Ramës, tha se ai gaboi, pasi PD, nuk blihet e as nuk shitet. Berisha artikuloi edhe njëherë akuzat se kryeministri Rama urdhëroi arrestimin e liderëve e partive opozitare.
Ai u shpreh se besimi i tij ndaj demokratëve nuk është lëkundur kurrë dhe se Partia Demokratike mbetet e pamposhtur.
Berisha kujtoi nisjen e procesit të rithemelimit të PD-së dhe sfidat me të cilat, sipas tij, është përballur partia gjatë viteve të fundit, duke theksuar se demokratët kanë kaluar një maratonë të jashtëzakonshme politike.
“Erdhi një moment kur Edi Rama vendosi si moral dhe platformë atë të etërve të tij dhe ndërmori sulmin për asgjësimin e PD, shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj. Por kjo parti nuk është për treg, është për moral, ideale dhe vlera. As nuk blihet, as shitet dhe nuk mposhtet kurrë. Ndaj edhe u ngritëm, në një kohë kur duket sikur edhe tokën e qiellin e kishim kundër”, tha Berisha mes të tjerash.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Berisha akuzoi miliarderin George Soros, se bëri gjithçka ka mundur për të ndërhyrë në politikën shqiptare dhe të eliminonte sipas tij opozitën.
“Narkodiktatori, i mbështetur i fuqishëm nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros, bëri gjithçka të eliminonte PD-në. I mori vulën, i mori flamurin, ia hoqi emrin, i privoi të gjitha financimet dhe kjo vetëm e vetëm në mënyrë që ta ndrynte atë në banesën e harresës së historisë. E izoloi përkohësisht nga mbarë bota. Por ne, në ligjin tonë më themelor, që sa herë rrëzohemi, ngrihemi përsëri, vazhduam betejën tonë. U ngritëm në Shkodër, Shkodra bastion i përjetshëm i mendimit të lirë. U tmerrua. Bastardi i xhelatëve bllokmenëve hoxhistë mori logo, flamur dhe çdo gjë tjetër. Përsëri, 500 mijë shqiptarë u rreshtuan prapa nesh”, tha kryedemokrati.
Në fjalën e tij drejtuar delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD, Berisha përsëriti frazën e tij të “kilometrit të fundit”, duke thënë se detyra kryesore e tyre është ripërtëritja e partisë. Sipas Berishës, Rama është në “rreth të kuq” dhe do të largohet me çdo çmim nga pushteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje