Politike

Berisha në arrest, PD në gjyq. Ivi Kaso: Të gjithë hapat ligjorë për të marrë vulën

Arrestimi i kryetarit të PD, Sali Berisha, i dalë nga Kuvendi i i Rithemelimit në dhjetor 2021, nuk e ka ndalur këtë pjesë të PD në betejën ligjore për të legjitimuar organet e saj. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, tani mbetet vetëm një shkallë gjyqësore për një vendim të formës së prerë dhe ajo është Gjykata e Apelit. Ivi Kaso, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhjet në PD të drejtuar nga Sali Berisha i tregoi Gazetës Si hapësirat ligjore për ndjekjen e çështjes dhe çfarë mund të bëhet për përshpjetimin e vendimmarrjes. I kujdesshëm për të treguar optimizëm, Ivi Kaso, nxjerr në pah faktet, që, siç thotë ai, mbështesin argumentat se legjitimiteti i takon Kuvendit të 11 dhjetorit 2011. Thënë ndryshe, partisë që drejtohet nga Sali Berisha, për të cilin ka një vendim gjykate, që nuk është rregjistruar në rregjistrin e partive politike. Edhe për këtë Ivi Kaso ka një mesazh.

Gazeta Si: Vendimi i Gjykatës së Lartë per atë që mediat e quajnë çështja e vulës nuk ju ka lënë të kënaqur. Cilat janë arsyet?

Ivi Kaso: Vendimi i Gjykatës së Lartë për rekursin e paraqitur nga PD, e përfaqësuar nga Komisioni i  Rithemelimit, lidhur me rregjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit 2021 ishte vetëm një gjysëm hapi pozitiv përpara për pretendimin tonë që vendimet e marra në këtë Kuvend janë të ligjshme, janë në fuqi dhe duhet të rregjistroheshin pa asnjë vonesë. Për fat të keq, çështja e rregjistrimit të organeve të PD-së, që burojnë nga vullneti i demokratëve, i shprehur në Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021 është mbajtur peng për shkak të vullnetit të maxhorancës, e cila, duke ndikuar rnë mënyrë të hapur organet gjyqësore, Gjykatën e Tiranës, kancelarinë dhe rregjistrin e partive politike, që administrohet pranë kësaj gjykatë, mbajtën pezull rregjistrimin e vendimarrjes të Gjykatës së Tiranës. Ishte kjo gjykatë që certifikoi vullnetin e demokratëve me vendimin nr 3, dt 25 Mars 2022 dhe, nëpërmjet një pjese të opozitës, që ata e kontrollojnë, sajuan një ankim që kjo çështje të shkonte ne kalendat greke. Gjykata e Apelit, pasi e zvarriti këtë çështje për më shumë se 1 vit, falë presionit të hapur te maxhorancës, e mori në shqyrtim çështjen vetëm 3 ditë para se të mbyllej afati për rregjistrimin e partive politike në garën elektorale të 14 majit dhe, me anë të një vendimi të pabazuar dhe të paligjshëm, siç thotë dhe Gjykata e Lartë,, vendosi dhe urdhëroi kthimin e kësaj çështje për shqyrtim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Rekursi ynë ka patur në thelb paligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Apelit, paligjshmëri e cila u certifikua nga ky vendim i Gjykatës së Lartë. Për fat të keq, Gjykata e Lartë nuk pati kurajon, qetësinë, objektivitetin e duhur në mënyrë që ta merrte vetë në shqyrtim thelbin e çështjes, të pretendimeve të ngritura nga ana jonë dhe të urdhëronte pa asnjë vonesë lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe rregjistrimin e këtij vendimi, duke certifikuar në mënyrë përfundintare organet legjitime të dala nga vullneti i demokratëve, të sanksionuara në Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021.

Ivi Kaso

Gazeta Si: Ka më vend për ndonjë hap ligjor që shkurton kohën e marrjes së një vendimi final?

Ivi Kaso: Pas kësaj vendimarrje nuk shoh ndonjë mundësi për të ndërmarë hapa të tjerë ligjorë që mund ta përshpejtonin vendimmarrjen përfundimtare lidhur me këtë çështje. Ka hapa teknikë dhe procedurialë që duhet të ezaurohen, siç është zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë. Pas komunikimit zyrtar të vendimit përfundimtar të arsyetuar, dosja dërgohet në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtojmë mundësitë tona proceduriale për t’iu drejtuar me kërkesat përkatëse për përshpejtimin e kësaj çështje. Për vetë natyrën që ka çështja, në lidhje me legjitimitetin dhe pasqyrimit në rregjistrin e partive politike të atyre që janë organet drejtuese të PD-së, si partia kryesore e opozitës, mbart në vetvete një interes të lartë publik dhe si e tillë duhet të shqyrtohet me përparësi nga Gjykata e Apelit. Aq më tepër që kjo çështje shkon për herë të dytë për gjykim në këtë Gjykatë. Për shkak të këtij fakti, kjo çështje ka përparësi me çështjet e tjera që presin. Sapo dosja të shkojë dhe të hidhet shorti, nga ne do të bëhen të gjitha tentavat e nevojshme, në mënyrë që t’i përcjellim gjyjatës shqetësimin dhe interesin tonë të lartë që kjo çështje të gjykohet me procedurë të përshpejuar.

 Gazeta Si: Duke u rikthyer çështja në Gjykatën e Apelit, shanset janë të gjitha të hapura. A keni ju besim se gjykata do të vendosë në favorin tuaj?

Ivi Kaso: Ne kemi besim në drejtësine argumenteve tona, që i kemi mbështetur në provat që kemi dërguar në gjykatën e Shkallës së Parë, çka e shtyu gjykatën të merrte një vendim të drejtë dhe të bazuar në mars 2022, që certifikoi organet e dala nga Kuvendi i Dhjetorit 2021. Një pjesë e mirë e argumentave tona janë njohur si të bazuara edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë, që pritet të zbardhet. Kemi të gjithë arsyet për të qenë optimist për shkak të argumentave bazuar në prova dhe certifikimit të tyre nga Gjykata e Lartë.

Gazeta Si: Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ju thoni se është në fuqi vendimi i gjykatës që njohu Kuvendin e Rithemelimit, rrjedhimisht dhe Berishën si kryetar të PD. Por vendimi nuk është rregjistruar në rregjistrin e partive politike. Do ta kërkoni këtë apo duhet të përfundojë i gjithë gjyqi?

Ivi Kaso: Është e vërtetë që rikthehet në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës i 25 Marsit 2022. Ky vendim, në mënyrë të paprecedentë, u refuzua të rregjistrohej në rregjistrin e partive politike nga ana e administratës së Gjykatës së Shkallës së Parë. Për ne, ky ishte një vendim qartazi i motivuar politikisht, që organet e reja drejtuese të PD të mbeteshin të pacertifikuara që t’i shkaktoheshin sa më shumë problematika PD, duke nisur me garën zgjedhore për zgjedhjet lokale. Tani, me t’u zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë, ne do të bëjmë përpjekjet tona ligjore për ta regjistruar këtë vendim pranë rregjistrit të partive politike në Gjykatën e Tiranës, duke u bërë thirrje organeve drejtuese të kësaj gjykate, që administrojnë atë rregjistër, të mos bëhen pre e lojrave politike të ditës, por të ngrihen në lartësinë e detyrës publike që mbajnë. Kemi dyshimet tona që kjo gjë ka për të ndodhur, por kjo nuk na pengon ne që të ezurojmë çdo hapësirë ligjore për përfundimin e këtij rregjistrimi. Për këdo që do të vendosë interesin politik të maxhorancës, interesin politik të ditë mbi atë çka është e sanksionuar e zezë mbi të bardhë dhe mbi atë që është detyra funksionale e adminstratës dhe atyre që atyre që administrojnë rregjistrin e partive politike, do të sanksionohen nga ana jonë, duke e përballur, siç kemi bërë edhe më parë, me institucionet ligjore, pra duke përgatitur dhe depozituar paditë përkatëse në organin e prokurorisë dhe organet e tjera që monitorojnë punën e gjykatave.

Gazeta Si: Me Berishën në izolim, me një çështje gjyqësore akoma pezull për legjitimitetin e PD, me një PD akoma të fraksionuar dhe të ndarë, e shihni opozitën në pozita akoma më të dobëta elektorale?

Ivi Kaso: Për fat të keq, është bërë dhe vazhdon të bëhet ç’është e mundur nga ana e atyre që kontrollojnë të gjithë pushtetet që ta mbajnë opozitën të përçarë, në problematikat e saj të brendshme dhe jo në atë çka është misioni i opozitës, denoncimet dhe përballja me keqqeverisjen. Nga ana e opozitës, pavarësisht situatës ku ndodhet, në sulm nga të gjitha drejtimet, jo vetëm nga instrumentat e pushtetit, por edhe nga segmente të drejtësisë së re, haptazi nën ndikimin e pushtetit, është bërë ç’është e mundur që ne të përmbushim misionin tonë. Kemi intensifikuar aksionin opozitar. Ne do të bëjmë maksimumin në këto kushte që të permbushim sa më mirë misionin. Vështirësitë janë të mëdha, por është një motivim që të intënsfikojmë përpjekjet. Ka një qendrim të qartë të PD, të materializuar në 2 rezoluta. Ora e përballjes ka ardhur dhe përballja është e vetmja rrugë per ringritjen jo vetëm të opozitës, por edhe të Shqipërisë, që të kryejmë misionin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë