Ne rrjet

24 orë pasi u dënua nga gjykata për ngritjen e flamurit shqiptar, Beogradi shkarkon Shqipërim Arifin si Kryetar të Preshevës

Shqiprim Arifi është shkarkuar si kryetar i Komunës së Preshevës.

Ai tha se autoritetet në Serbi “në mënyrë arbitrare”, në mesnatë e kanë shkarkuar nga posti i kryetarit të komunës së Preshevës.

Ndërkaq, në vendimin e Qeverisë serbe të 18 prillit thuhet, pa dhënë arsye, se është shpërndarë Kuvendi Komunal i Preshevës, dhe është paralajmëruar krijimi i një organi të përkohshëm.

Arifi më 20 prill tha se është krijuar një organ i përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme dhe në krye të Preshevës – komunë në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare – është vendosur Ragmi Mustafa.

“Ka disa kohë që [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shkarkimi i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedurë ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor”, shkroi Arifi në llogarinë e tij në Facebook.

Arifi dhe partia e tij, Alternativa për Ndryshim, u dënuan nga një gjykatë në Vranjë të Serbisë me një gjobë prej 470 eurosh për vendosjen e flamurit të Shqipërisë në zyrat e partisë në Bujanoc më 27 nëntor 2022, një ditë para përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Në vendim u tha se ai dhe partia e tij u gjetën fajtorë pasi në orën 21:05 të 27 nëntorit të vitit 2022 “kanë shfaqur flamurin e një shteti të huaj, Shqipërisë, pa e shfaqur flamurin e Serbisë”. Me këtë, tha gjykata, Arifi dhe partia e tij, kanë shkelur ligjin që rregullon përdorimin e flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare të Serbisë.

Arifi për shkarkimin e tij fajësoi edhe eksponentë politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – të cilët i akuzoi se janë bërë “vegël e lehtë për Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”.

Ndryshe, për shkak të mosmarrëveshjeve mes partie shqiptare politike, prej vitesh në Preshevë ka pasur jostabilitet politik në pushtetin lokal atje.

Presheva është një prej tri komunave në jug të Serbisë, ku popullsia shumicë është shqiptare.

Shqiptarët në Serbi janë pakicat e katërt kombëtare, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2022. Në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

Partitë politikë dhe banorët shqiptarë shpesh janë ankuar se autoritetet serbe po tentojnë të ulin numrin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përmes pasivizimit të adresave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë