Futboll

Belgjika siguron kualifikimin, Lukaku s’i ndahet Ronaldos

Belgjika siguroi kualifikimin dhe e bëri atë duke bindur si në lojë ashtu edhe në rezultat në ndeshjen e dytë të grupit.

Belgët u përplasën me Tunizinë. Për afrikano-veriorët Belgjika ishte një kockë më shumë se e fortë, por ata bënë përpjekjet e tyre për të surprizuar. Hedhja në sulm dhe hapja në prapavijë u ndëshkua shumë shpejt.

Hazar me penallti në minutën e 6-të dhe Lukaku 10 minuta më vonë ishin dy golat e shpejtë të belgëve. Tunizianët u përgjigjen po aq shpejt, kur dy minuta nga goli i Lukakut, rihapën takimin me Bronn.

Në momentin kur të gjithë prisnin fërshëllimën për përfundimin e pjesës së parë të takimit, Lukaku shënon golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal.

Me avantazhin e dy golave, pjesa e dy u shndërrua në formalitet për belgët. Fillimisht Hazard dhe më pas Batshuayi shënuan përkatësisht golin e katërt dhe të pestë, ndërsa Khazri gjeti rrjetën në sekondat shtesë, në një gol që vlen vetëm për statistikë për skuadrën afrikane.

Me gjashtë pikë të grumbulluara në dy ndeshje, Belgjika pret e qetë përplasjen me Anglinë në ndeshjen e fundit të grupit, ndërkohë që Lukaku u ngjit në kuotën e 4 golave të shënuar, po aq sa Cristiano Ronaldo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë