Politike

Beleri në burg, kërcënon Greqia: Impakt në raportet dypalëshe dhe të Shqipërisë me BE-në. Xhaçka: Miq grekë, përmbahuni

Athina zyrtare ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për të lënë në burg kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri.

Sipas palës greke, vendimi është një akt i pa precendentë që do të dëmtojë marrëdheniet dypalëshe.

“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës është skandaloz. Arrestimi i kandidatit për bashkinë e Himarës dy ditë përpara zgjedhjeve, nuk tregon shtet të së drejtës. Vendimi për burgosjen e kandidatit për kryetar bashkie, sjell përmbysjen e rregullave të barazisë në zgjedhjet lokale në Himarë, e cila është një qendër e rëndësishme e minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Një vendim ky që do të ketë impakt negativ në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht për rrugën europiane të Shqipërisë është qëndrimi kostant i shteteve që aderojnë për anëtarësim, në rregullat europiane dhe në shtetin e së drejtës.

Vendime si i sotmi shkelin rregullat e mësipërme dhe tregojnë në realitet Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane”– përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke.

Por Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke që e quante skandaloz vendimin e Gjykatës së Vlorës për të dhënë masën e arrestit me burg për Fredi Belerin, kandidatin e opozitës për Bashkinë e Himarës.

“Është thuajse e pamundur të kuptoj sesi miqtë tanë grekë kanë të drejtë të vënë në diskutim një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat nuk mund të ishin më të forta se kaq. Fredi Beleri është kapur në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nuk e kuptojmë sesi fakti që është shtetas grek e përjashton atë nga ligji si qytetar i Shqipërisë. U bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që tregojnë mungesë respekti ndaj institucioneve të pavarura të vendit tonë”, tha Xhaçka përmes një postimi në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë