Drejtësia

Gjykata e Vlorës la në burg Fredi Belerin dhe shpall moskompetencën, dosja i kalon në SPAK

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri doli sot para Gjykatës së Vlorës ku iu komunikua masa e sigurisë arrest me burg.

Gjykata gjithashtu shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.

Në sallën e gjyqit, Fredi Beleri ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzën. Ai ka thënë se ishte me të afërmit e tij dhe se lekët nuk i kishte për të blerë vota.

“Nuk kam lidhje me akuzën, isha me të afërmit e mi, lekët nuk i kisha për të blerë vota!”, - mësohet se ka thënë Fredi Beleri në sallën e gjyqit.

Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës “arrest me burg” për Fredi Belerin, avokati i tij është shprehur se ky është një sulm politik dhe i montuar.

“E vlerësuan arrestin në flagrancë si të ligjshme! Brenda 10 ditësh do të behet vlefshmëria në SPAK. Për 10 ditë vlerësimi i masës së sigurisë në SPAK. Është sulm politik dhe e montuar. Nuk u provua në asnjë moment as ekzistenca e listave, ishte duke dalë jashtë lokalit. Nuk iu gjet asgjë në flagrancë. Absolutisht se cenon përkundrazi e ka forcuar më shumë”, tha avokati.

E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi. Po ashtu mbërriti edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, por nuk u lejua në seancë.

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule u shpreh se Fredi Beleri duhet të lirohet menjëherë.
“E kërkon logjika nga çdo optikë qoftë ajo që të lirohet menjëherë. Avokatët janë njohur dhe qëndrimin zyrtar mund ta shprehin ta. Ishte një vendim i paralajmëruar. Kemi një proces parodi, qëllimi është një dhe i vetëm të rrëmbejnë përfaqësimin e Himarës”, është shprehur Dule.

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe Pandeli Kakoveshin.

Mësohet se Beleri ka kërkuar një masë të butë sigurie për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi sipas tij vuan nga diabeti.

Ndërsa Pandeli Kakoveshi, miku i Fredi Belerit, i arrestuar po ashtu për blerje votash, është shtruar në spital te QSUT në Tiranë, pasi ka pretenduar se ka probleme shëndetësore.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garon përballë kryetarit aktual të bashkisë, Gjergji Goro, i cili kërkon një mandat tretë.

Në pranga u vu edhe Pandeli Kokoneshi i akuzuar për të njëjtën vepër penale. Policia thotë se pas arrestimit të tyre ka sekuestruar një shumë parash prej 40 mijë lekësh të rinj.

Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë