Sport

Bekham dhe LeBron Xhejms bëhen ortakë në biznes, lind “Studio 99”

Çfarë bëjnë bashkë LeBron Xhejms dhe Devid Bekham? Flasin për futbollin, duke qenë se njëri është aksioner te Liverpuli dhe tjetri një legjendë e këtij sporti? Apo shkëmbejnë këshilla si fqinj të mirë, pasi të dy jetojnë në Los Anxheles? Asnjëra prej tyre…

Dy yjet e sportit botëror kanë vendosur të bëhen bashkë në një aventurë të re si sipërmarrës. Ka lindur tashmë “Studio 99”, agjencia kreative e “Spice Boy”, i cili ka gjetur një ortak special në këtë biznes. Lajmi është bërë i ditur nga “Variety” dhe më pas është konfirmuar nga vetë Bekham në rrjetet sociale. Po për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Për një agjenci kreative, që do të prodhojë dokumentarë, spektakle televizive dhe formate të tjerë me karakter komercial. Agjencia e sapokrijuar ka gati që tani shumë projekte, që natyrisht përfshijnë edhe argumente si sporti, udhëtimet e moda, që Bekham i ka shumë për zemër. Emri i agjencisë është i lidhur me ish-futbollistin. Referimi numerik nuk ka kaluar pa u vënë re dhe viti 1999 i dedikohet Bekhamit, është viti i tij më i mirë në karrierë. Në këtë vit ka fituar titullin kampion në Angli, “FA Cup” dhe Ligën e Kampionëve me Mançester Junajtid. Gjithashtu, është viti kur është martuar me Viktorian dhe ka lindur Bruklin, fëmija i parë i çiftit të famshëm.

LeBron Xhejms dhe Bekham si tifoz special i tij

Po ç’hyn LeBron këtu? Në hapat e parë pas krijimit si kompani, “Studio 99” është lidhur me “Uninterrupted”, kompaninë mediatike të krijuar nga LeBron Xhejms dhe ortaku i tij Maverik Karter. Objektivi është që të prodhohet një seri dokumentarësh në lidhje me një eksluzivitet të MLS-së, që do të drejtohet pikërisht nga Bekham. “Të krijonim një studio prodhimi tonën ishte diçka shumë natyrale”, - ka shpjeguar “Spice Boy”. Dhe kur diçka e tillë bëhet me një tjetër legjendë si LeBron, jehona mediatike nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të shtohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë