Biznes

Nëse do punë, bëhu djall, edhe po s’je veshur me Prada

Sabina Veizaj - Di të shesësh apo jo? Kjo është çështja, sidomos kur bëhet fjalë për vlerat që disponon në të cilat ke investuar prej vitesh. Veçanërisht kur të duhet t'i transmetosh me siguri dhe pa t'u trembur syri në një komision të burimeve njerëzore për të fituar një vend pune.

Ky proces, për vetë shoqërinë patriarkale, si në botë e mbi të gjitha në vendin tonë, kur patriarkalizmi ka shfaqur sjellje më të thekta, negocimi për pagën pas një interviste të suksesshme pune, është më i vështirë për të arritur atë që mendon se meriton dhe synon kur bëhet fjalë për femrat.

E keni parasysh atë skenën në filmin "The Devil wears Prada" ku dyert e ashensorit hapen dhe Miranda Priestly mbart një pale syze dielli të shtrenjta dhe impostohet me të ecurën e sigurtë, me një besim të jashtëzakonshëm në vete që të lë të kuptosh se ajo mund të marrë gjithë çfarë dëshiron?

“Kjo duhet të jeni ju!”- thonë ekspertët e burimeve njerëzore. ‘Para se të hyni në ndonjë mjedis negociatash, merrni frymë thellë, merrni pozën sikur keni gjithë fuqinë brenda vetes, atë që keni dëgjuar në bisedat e TED, dhe pastaj ecni drejt sallës me vetëbesim.’

Por, a e bëjnë këtë kandidatet shqiptare për punonjëse për poste të ndryshme pune?

Si ka ndryshuar sjellja e të intervistuarave për një vend pune gjatë viteve dhe mënyra se si ato negociojnë për pagën e tyre?

Erisa Arizi, CEO e E2 Partner, kompani konsulence në fushën e Burimeve Njerëzore, me mbi 15 vite eksperiencë, thotë për Gazetën “Si” se

Erisa Arizi

“fenomeni i pamundësisë së negocimit të pagave, ka ekzistuar për shkak sepse femra konceptohet në Shqipëri (dhe kulturën tonë patriarkale) si  nënë edhe kujdestare e familjes, gjë që frenon atë në karrierë. Femra është më e matur (më e kujdesshme) në negocim, gjë që në strukturat përzgjedhëse të Burimeve Njerëzore konceptohet shpesh herë si aftësi e dobët në negocim. Femrat priren drejt sigurisë; një punë të sigurtë e afatgjatë me kushte të përshtatshme dhe janë në kërkim të cilësisë kundrejt një mashkulli, i cili synon titullin / pagën / dhe konkludon më shpejt negociatën (në të shumtën e rasteve).

Megjithatë ekspertja thotë se numri i femrave të vendosura për një karrierë të suksesshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme po rritet e gjithashtu edhe kultura e tyre në aspektin e sjelljes së biznesit.

Gjatë eksperiencës së saj ekspertja e Burimeve Njerëzore, thotë se ka vërejtur detaje domethënëse tek femrat që nuk i kanë meshkujt; siç është qartësia për të negociuar për pagën.

Femrat më të mirëpaguara sipas Erisës janë ato që punojnë në sektorin bankar. “Aty punonjëset femra kanë një eksperiencë të gjatë e të konsoliduar, (pagat variojnë në pozicione menaxheriale të mesme e të larta nga 1.2 min neto në 4.5 mln). Kjo ka sjellë përsosmëri, siguri dhe paketë financiare goxha të vlerësuar, gjithashtu biznesi në dekadën e fundit ka treguar se femrat janë pozicionuar në poste drejtuese menaxheriale Marketing/ Shitje/ Komerciale( Tregeti/ Trading) (pagat këtu variojnë nga 1 mln në 2.5 apo 3 mln). Në sektorin Farmaceutik/ Financë  1mln- 2.5-3 mln neto.

Ajo që Erisa këshillon për një intervistë pune është mbi të gjitha informacioni i qartë rreth aplikimit / kompanisë/ detajeve të pozicionit në të cilin kandidatët aplikojnë. “Të përputhin qartazi background-in e tyre me atë çka punëdhënësi kërkon. Të qartësojnë limitet e kohës, dedikimit dhe integritetit që ato vënë në punën e tyre të përditshme. Qartë edhe me zë femëror kjo është veçoria femërore që përtej punës çon jetën përpara”, sqaron për “Si” ekspertja Arizi.

Nisur nga statistikat depresive ku meshkujt fitojnë më shumë para sesa femrat, këshillat e ekspertëve të huaj të Burimeve Njerëzore janë më të serta .

Ata i këshillojnë femrat kandidate për një vend pune që përpara intervistës, për të mbytur emocionet dhe pasiguritë brenda tyre, të pijnë Xanax ( qetësues për të ulur emocionet e forta) dhe të hyjnë në sallën e intervistës pa iu dredhur qepriku.

Bëni çfarë të doni vetëm mos qani! – urdhërojnë ekspertët.

“Kur ishit në shkollë, ju lejohej të qanit edhe për gjënë më të vogël. Kjo nuk është e vërtetë në biznes. Merrni një Xanax tjetër në qoftëse ju nevojitet dhe shtypni emocionet.

Ata thonë jo, por nuk e mendojnë ashtu

Si gra, kur ne dëgjojmë “jo,” ne kuptojmë jo. Kjo është arsyeja pse gratë janë aq rrallë sulmuese ose vrasëse. Por nganjëherë, në një negocim biznesi, njerëzit bëjnë një mashtrim qesharak ku ata gënjejnë sy më sy dhe thonë se ata nuk mund të përballojnë pagën e  kërkuar prej jush. Si mund ta kuptoni këtë? Ja një shembull: shiko përreth. A jeni në një zyrë luksoze? A po flet me një burrë me një kostum të bukur dhe të shtrenjtë? A ju ka ofruar dikush kafe kur keni hyrë? Nëse ju përgjigjeni po në ndonjë nga këto pyetje, ata me siguri mund të përballojnë t'ju paguajnë më shumë dhe thjesht po gënjejnë.

Përgatitu të ikësh

Ju keni kërkuar shumë, ata kanë thënë jo, dhe ju nuk keni rënë dakord. Urime! Ju keni negociuar me sukses. Tani, nëse vazhdojnë të thonë jo, është koha të ktheheni dhe të largoheni. Mos u shqetësoni, ata do t'ju ndalojnë në minutën e fundit dhe ju mund të keni gjithçka që dëshironi. Ndoshta ata do të vrapojnë pas jush dhe derisa dyert e ashensorit po mbyllen, ata do të thonë: "Prisni, keni pasur të drejtë dhe ne kemi gabuar. Do t'ju japim të gjitha paratë që dëshironi për të qenë C.E.O  ynë. Vetëm ju lutem mos u largoni! "

Si paguhen femrat në Shqipëri në raport me meshkujt?

Si qëndron realiteti në raport me se si duhet të jetë dhe se si po përpiqet kultura e biznesit të ndryshojë? Të dhënat e 2016-ës të INSTAT tregojnë se në Shqipëri, gratë paguhen 6.3% më pak se burrat. “Kjo vlerë është më e vogël se për disa vende të zhvilluara Europiane, por nuk do të thotë se në Shqipëri ka me pak diskriminim ndaj grave. Për shembull, në vitin 2015, hendeku gjinor i pagave në Gjermani ishte rreth 20 %, në Francë ishte 15,8 % dhe në Danimarkë ishte 15,1 % (Eurostat). Megjithatë, pjesëmarrja e grave në forcat e punës dhe niveli i pagave në këto vende është shumë më i lartë se në Shqipëri. Siç e kemi përmendur edhe më lart, të dy këto faktorë ndikojnë në rritjen e hendekut gjinor të pagave. Prandaj duhet thënë që në Shqipëri duhet të fillohet me luftimin e diskriminimit gjinor që shkurajon gratë për të marrë pjesë në tregun e punës dhe gjithashtu me marrjen e masave për ndalimin e diskriminimit gjinor në tregun e punës me anë të pagës”, citon INSTAT.

Pagat sipas profesioneve

Grup – profesioni i vetëm, për të cilin hendeku gjinor i pagave (HGJP ) është negativ është ai i forcave të armatosura. Por, përqindja e punonjësve gra në këta profesione është vetëm 12 %.

Profesionet elementare kanë hendek gjinor të pagave prej 7.2 % dhe një përbërje gjinore pothuajse të barabartë, me një dominim të lehtë të grave me 51 %. Grup – profesioni i nëpunësve, punonjësve të shitjeve dhe shërbimeve paraqet HGjP prej 10.5 %. Për këtë grup – profesion, 60 % e punonjësve janë burra dhe 40 % janë gra. Në grup – profesionin e drejtuesve, profesionistëve dhe teknikëve 51 % e punonjësve janë gra, por burrat paguhen 12.7 % më shumë për të njëjtën punë. Grup – profesioni me hendekun më të lartë gjinor në paga është ai i zejtarëve, punonjësve të montimit të pajisjeve dhe makinerive, me 24.9 %. Gjithashtu, vetëm 38 % e punonjësve janë gra.

Lidhja e drejtëpërdrejtë punësim-pagë

Ekspertët e burimeve njerëzore gjykojnë se ekziston një lidhje e drejtëpërdrejtë mes punësimit të grave dhe nivelit të pagave që ato marrin në krahasim me burrat. “Në sektorin e aktiviteteve ekonomike të ndërtimit dhe atë të tregtisë, transportit, hotelerisë etj, paga mesatare është më e lartë për gratë se sa për burrat. Ky fakt nuk do të thotë se në ndërmarrjet e këtyre sektorëve nuk ka diskriminim gjinor në paga, por ai është i lidhur me pjesëmarrjen e ulët të grave në forcat e tyre të punës. Një pjesëmarrje e tillë e ulët shpesh do të thotë që në këta lloj sektorësh arrijnë të punësohen vetëm ato gra që kanë arritur nivele të larta arsimi dhe kualifikimi dhe rrjedhimisht, punësohen pothuajse ekskluzivisht në poste të larta pune”, citohet në raportin e INSTAT “Burrat dhe gratë në Shqipëri 2017”

Në sektorin e administrimit publik, shërbimeve sociale dhe aktiviteteve të tjera hendeku gjinor i pagave paraqitet në nivele të barabarta me mesataren e vendit, edhe pse në këtë sektor është e pritshme që zbatueshmëria e ligjeve dhe rregullave kundër diskriminimit të grave të jetë më e lartë. Sektori i prodhimit është edhe sektori me hendekun më të lartë gjinor në paga (23.3 %). Ky është sektori me përqindjen më të lartë të grave punonjëse, çka është një faktor që kontribuon në rritjen e HGjP-së. Edhe pse niveli i pagave mesatare në këtë sektor është i ulët (31.407 Lekë, INSTAT), vlera e lartë e hendekut gjinor të pagave mund të vijë si rezultat i punësimit të grave përgjithësisht në profesione me nivel të ulët page brenda këtij sektori, të cilat kërkojnë pak ose aspak kualifikim

Europë- Si janë të ardhurat e femrave në raport me të meshkujve?

Sipas Studimit të Strukturës së Fitimit të Eurostat (2016) mesatarisht gratë ende fitojnë më pak se meshkujt në BE. Ky tregues i të dhënave krahason diferencën totale në të ardhurat midis burrave dhe grave, si dhe ndryshimin relativ. Hendeku ndryshon nga faktorë të tillë si mosha dhe profesioni.Mesatarisht meshkujt fitojnë më shumë se femrat në të gjitha vendet e BE-së.

Përjashtime të rralla janë - në grupin e punësimit "Punëtorët e shërbimit dhe shitjes" dhe grupmoshën mbi 60 vjeç - Belgjikë, Hungari, Republikë Çeke. Poloni, Maltë dhe Bullgari. Këtu të ardhurat mujore të grave janë më të larta se burrat.

Hendeku ka tendencë të jetë më i madh në vendet e punës që zënë kryesisht meshkujt (punëtorët e zejtarisë: 39%, menaxherët: 29,6%, grumbulluesit: 29%).

Në përgjithësi, diferenca e të ardhurave është më e ulët në grupmoshat më të reja sesa në ato më të vjetra.

Në vendet ku niveli i pagave është më i lartë, ndryshimi në të ardhura është gjithashtu relativisht i lartë. Luksemburgu është një përjashtim - pavarësisht pagave të larta dallimi është mjaft i vogël.Në Estoni dallimi është i lartë pavarësisht nga mosha dhe grupi i profesionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë