Sredan Majstoroviç mban postin e kreut të Qendrës së Politikave Europiane në Ballkan me seli në Beograd dhe prej andej lëshon një paralajmërim për Bashkimin Europian.
“Nëse BE vendos që të mos i hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë brenda kësaj jave, rrezikon që të destabilizojë gjithë rajonin”, deklaroi ai gjatë një tryeze diskutimi mbi proceset integruese të Serbisë dhe gjithë rajonit.
Majstoroviç thotë se për këtë arsye vendet anëtare të unionit duhet të bëhen bashkë dhe njëzëri të japin dritën jeshile për të dyja vendet kandidate.
“Hapja e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë do të ishte një vendim pozitiv dhe do të rriste besueshmërinë e BE-së në rajon. Kjo është ajo që propozon edhe Komisioni për Ballkanin Perëndimor, një strategji besueshmërie dhe premtim se rajon i përket Europës”, thotë më tej.
Cituar nga “European Western Balkan”, Majstoroviç rrezikun e destabilizimit të rajonit e sheh të nisë nga Maqedonia nëse Brukseli del me një vendim negativ.
“Nëse nuk rekomandohet hapja e negociatave, stabiliteti i brendshëm i brishtë në Maqedoni do të vihej në një rrezik të madh dhe mund të përhapet në të gjithë rajonin me shpejtësi duke prekur edhe vetë vendet anëtare të BE-së. Pra, një vendim negativ i BE-së do të ishte njësoj sikur BE të plagosë veten në këmbë”, deklaron Majstoroviç.
Në fund kërkoi që të gjitha vendet e rajonit të forcojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrën.
“Nëse Shqipëria dhe Maqedonia nuk hapin negociatat e anëtarësimit me BE do të mbeteshin pas në këtë proces dhe ne si rajon nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Stabiliteti dhe paqja nuk vendoset vetëm në Beograd, Sarajevë, Tiranë, Podgoricë apo Shkup, por është një ekskluzivitet i të gjithë rajonit. Ne duhet të mbrojmë këtë duke zgjidhur problemet tona të brendshme dhe kontribuar në zgjidhjen e problemeve rajonale”, mendon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.