Politike

Opozita në protestë, Rama fushatë në jug dhe në koncertin e Carla Brunit

Opozita pritet të protestojë sot në ora 20:00 përpara Kryeministrisë duke shënuar protestën e nëntë kombëtare. Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë dy postime të ndryshme në video duke i bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më shumë të pranishëm në protestën e sotme. Në një emision të mbrëmshëm televiziv, ai u shpreh se do të jetë së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij në protestë.
“Dua t’u them shqiptarëve unë do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati u mundua ta përsëriste dy herë një apel të tillë: shqiptarëve ju them se unë do të dal me vajzat e mia, me gruan time dhe ju bëj thirrje: merrni fëmijët me vete. Nuk do të ketë asgjë.
Protestat e mëparshme janë shënuar me akte dhune, ndërsa vetë kryedemokrati ka deklaruar se “nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qenë në komunikim”.
Demokratët insistojnë se protesta e tyre do të jetë paqësore, ashtu si edhe herët e tjera ajo do të jetë tip marshimi ku grumbullimi do të jetë përpara Kryeministrisë për t’iu zhvendosur para Parlamentit.
Skenari i protesës po mbahet sekret për demokratët, por në protestën e shkuar nuk munguan as pankartat në gjuhën gjermane, të cilët falënderonin gazetarin e “Bild” për përgjimet e publikuar. Sërish edhe protesta e sotme vjen disa ditë pasi prestigjiozja gjermane ka publikuar 10 përgjime të reja ku flitet për shitblerjen e votave në Dibër gjatë zgjedhjeve për bashkinë në vitin 2016-të.
“Asnjë hap pas! Të gjithë bashkë sonte në orën 20:00, si njerëz të lirë, si qytetarë me dinjitet, si shqiptarë kurajozë, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh, në manifestimin kombëtar të vullnetit tonë të pakthyeshëm për Shqipërinë si gjithë Europa!”, do të ishte thirrja e dytë e kryedemokratit nëpërmjet rrjeteve sociale.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/384058908902031/?t=12

Ambasada amerikane ka mbajtur një deklaratë të posaçme ku i kërkohet një protestë e qetë dhe mbi të gjitha të dënohet dhuna dhe se organizatorë do të mbajnë përgjegjësi nëse ushtrohet një gjë e tillë. “Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht ndërkohë që bën që ata që përfshihen në dhunë të mbajnë përgjegjësi. Nxisim të gjithë qytetarët dhe të gjitha institucionet kudo në Shqipëri që të mbështesin parimet e sundimit të ligjit, të refuzojnë dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të ushtrojnë paqësisht të drejtat e tyre demokratike ndërkohë që lejojnë bashkëqytetarët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë. Po ashtu, iu bëjmë thirrje organizatorëve të protestës së nesërme që të mbajnë përgjegjësi përballë po të njëjtave parime, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”, thuhet në deklaratën e lëshuar një dite më parë.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10156453377770838/?type=3&theater

Masat e policisë
Opozita ka kërkuar pranë policisë një protestë pa afat ditën e sotme, porse mësohet se policia e shtetit u ka dhëë vetëm dy orë leje. Policia ka mësohet se do të angazhojë rreth 1700 forca për të ndjekur protestën.

Parlamenti i rrethuar me tela me gjemba


Disa orë para protestës së planifikuar nga opozita punëtorët kanë nisur të rrethojnë me gardh prej hekuri dhe tela me gjemba godinën e parlamentit dhe të kryeministrisë. Në të gjitha protestat e mëparshme tubimi i protestuesve është pozicionuar para këtyre dy institucioneve ku nuk kanë munguar as hedhjet e tymueseve dhe të mjeteve piroteknike nga protestuesit. Në kundërpërgjigje policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës.

Tele me gjemba në Parlament


Rama fushatë në jug të Shqipërisë
Sipas burimeve të Gazeta Si, kryeministri Edi Rama gjatë protestës së sotme nuk do të jetë në Tiranë. Ai do të udhëtojë drejt jugut të Shqipërisë me qëllim organizimin e mitingjeve elektorale për zgjedhje e 30 qershorit. Saranda dhe Gjirokastra janë dy destinacionet në këtë fundjave të shefit të qeverisë, i cili 9 ditë përpara zgjedhjeve do të mbyllë fushatën e prezantimit të kandidatëve.
Kryeministri ka mbajtur një postim në Facebook sa i përket protestës së opozitës, duke i kushtuar disa vargje me prozën “Idhuj pa Krena” të poetit shkodran Migjenit: “Në varrimin e idhujve të vjetër kumbonat kanë për të plasë së ramit, minaret kanë për të thye kurrizin së faluni dhe zhrecvet do t’u këputen telat e fytit së kënduari. Dhe do të vijë heshtja. Se çdo vikamë fillon e mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2270228673090252/?t=15


Burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se kryeministri pritet të marrë pjesë edhe në koncertin e këngëtares Carla Bruni, bashkëshortes së ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy. Koncerti mbahet në ditën e Festës së Muzikës, kantautorja dhe modelja e njohur, do të këndojë në teatrin e Parkut Kombëtar të Butrintit.Vetë kryeministri Edi Rama ka nisur ditën pikërisht duke postuar një video të këngëtares dhe modeles së njohur. “Mirëmëngjes dhe me këtë yll bote që për Ditën Ndërkombëtare të Festës së Muzikës zgjodhi të këndojë për shqiptarët, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri në Facebook.
Ndërsa më datën 23 të dielën, Rama do të jetë Gjirokastër për një takim me socialistët, që do të mbahet në Parkun e Viroit në ora 18:30.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë