Ne rrjet

BE mund t’i mbajë mbyllur kufijtë edhe pas 1 korrikut për Ballkanin

Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian mund të mbeten të mbyllur për qytetarët e Shqipërisë dhe vendeve tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik, përkundër rekomandimit të mëhershëm të Komisionit Europian që këto kufij të hapen me këtë datë.

Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, ka thënë se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Disa vende anëtare të BE-së tashmë janë duke i rritur masat për kufizimin e hyrjes së shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Rekomandimi për nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike por edhe për shkak të raporteve të BE-së me atë rajon. Sa i përket situatës, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”, ka thënë ky zëdhënës në Komisionin Evropian.

Para dy javësh, Komisioni Europia kishte rekomanduar që kufijtë e brendshëm të BE-së të hapen jo më vonë se me datën 15 qershor, ndërsa ata të jashtmiy gradualisht prej 1 korrikut.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni kishte rekomanduar që kufijtë e jashtëm të hapen prej 1 korrikut duke e arsyetuar në atë kohë këtë rekomandim me gjendjen e mirë epidemiologjike.

Komisioni kishte konstatuar se kjo situatë në vendet e Ballkanit Perëndimor është “e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në vendet e BE-së”.

Por, prej atëherë situata në rajon është përkeqësuar, me rritjen e shpejt të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që në nivel të BE-së të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kështu ka vendosur Sllovenia, ndërsa Kroacia kërkon që personat që hyjnë në territorin e saj, e rrjedhimisht edhe në atë të BE-së, të dëshmojnë arsyen domosdoshme për një udhëtim të tillë.

Në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ditëve të fundit ka pasur një rritje të numrit të infektuarve me koronavirusin e ri.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë