Ne rrjet

BE ka gati të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Europian duket se është tanimë më pranë se kurrë emërimit të një të dërguari të posaçëm për normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, i cili do të ketë një rol të ngjashëm me Mathew Palmer, të dërguarin special të SHBA-ve.

Mediat në rajon shkruajnë se Franca dhe Gjermania po negociojnë një marrëveshje të mundshme në lidhje me emërimin e një zyrtari që do të shërbente si i dërguar special i BE-së në rajon dhe mundësisht të jetë në krye të dialogut Beograd-Prishtinë.

Zëdhënësja e Përfaqësues së Lartë, Federica Mohgerinit, Maja Kocijančič, duket se ka konfirmuar raportet, duke deklaruar sot se BE do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të çuar përpara integrimin evropian të rajonit dhe dialogun Kosovë-Serbi.

“Radio Evropa e Lirë” dhe gazeta europiane “Politico” shkruajnë se Berlini zyrtar që po luan rolin kryesor në këtë iniciativë, dëshiron që i dërguari special të emërohet nga Gjermania .

Presidenti Thaci dhe kancelarja Angela Merkel, Gazeta Si, 18 shtator 2019

“Sipas burimeve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në rast se Komisioni Evropian vendos të bëjë këtë emërim atëherë, personi që do ta ushtrojë këtë funksion do të jetë nga Gjermania. Burime nga Qeveria gjermane kanë konfirmuar se Berlini zyrtar është shumë i interesuar për një të dërguar të mundshëm që vjen nga ky vend. Sipas burimeve, kjo do të “amortizonte” procesin e udhëhequr deri më tani nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në largim Federica Mogherini, e cila, siç thonë në Berlin, “në mënyrë të pashmangshme çonte në një shkëmbim territoresh”, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Kjo kërkesë u konfirmua edhe nga Ambasada gjermane në Kosovë, e cila deklaroi se BE duhet të ketë rolin kryesor në ndërmjetësimin e procesit.

Ndërkohë sipas “Politico”, burime nga disa shtete anëtare të BE-së tregojnë se ekzistojnë dy arsye për caktimin e një përfaqësuesi të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

E para ka të bëjë me vendimin e fundit të administratës amerikane për të emëruar Mattheë Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Një rrethanë tjetër që çon në vendimin për emërimin e një të dërguari special evropian është Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm i BE-së, Josep Borrell.

Josep Borrell, Gazeta Si, 18 shtator 2019

Ministri aktual i Jashtëm i Spanjës, dhe kryediplomati i ardhshëm evropian, Josep Borrell, vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të cilën ai personalisht ka qenë shumë kritik.

Megjithëse BE-ja pretendon të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës, burimet diplomatike të BE-së e konsiderojnë se pozicioni i Borrellit si një lehtësues ose ndërmjetës në dialog, është shumë i ndjeshëm.

Toby Vogel, një ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), mendon se ideja e emërimit të një të dërguari të BE-së për të mbikëqyrur dialogun Prishtinë-Beograd është i kuptueshëm, pasi do të lehtësonte punën e Josep Borrellin, i cili, sipas tij do të merrej me çështje më të ngutshme ditore.

Zyrtarët evropianë shpjegojnë mundësinë e emërimit të një të dërguari të veçantë me faktin se dialogu ndërmjet Kosovës-Serbi kërkon energji të veçantë, investim në kohë dhe angazhim, kështu që është “më e mençur të emërosh një person që të merret vetëm me këtë çështje”.

“Të njëjtat burime njoftojnë se, në terma zyrtarë, i mbetet Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell të vendosë nëse ai do të angazhohet në dialog personalisht, ose, si një skenar më i mundshëm, ta delegojë çështjen te përfaqësuesi i posaçëm. Sipas burimeve jozyrtare të BE-së, Borrell tashmë ka treguar se është në gjendje të heqë dorë nga ndërmjetësimi duke emëruar një të dërguar special. Zyrtarët e BE-së presin që gjërat të jenë më të qarta në tetor pas një debati në Parlamentin Evropian, kur duhet të diskutohet edhe konfirmimi i emërimit të Josep Borrell në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së”, shkruan”Radio Evropa e Lirë”.

 

Më Shumë