Mendim

BE-ja ka nevojë për një bashkim të vërtetë energjetik tani

Nga Charles Michel-Duke nisur një luftë kundër Ukrainës, Vladimir Putin ka lëshuar gjithashtu një "raketë energjitike" në Europë.

Ai dëshiron të zhdukë ekonomitë tona, të dobësojë shoqëritë tona dhe të shkatërrojë moralin tonë. Duhet të jemi të qartë në vlerësimin e shkallës së dëmit.

Kjo krizë justifikon strategjinë tonë të përbashkët të rritjes dhe e bën çështje urgjente krijimin e një bashkimi të vërtetë energjetik.

Do të jetë një shtyllë thelbësore e sovranitetit të BE-së. Energjia është si gjaku që rrjedh nëpër venat e ekonomive tona. Por ajo po mpikset nga veprimet agresive të Rusisë.

 Familjet dhe kompanitë përballen me fatura të tepruara të energjisë. Importet e energjisë së BE-së në gjysmën e parë të 2022 arritën në pothuajse 380 miliardë euro, që është afër asaj që ne paguajmë zakonisht për një vit të tërë.

Deficiti ynë tregtar i energjisë ka të ngjarë të dyfishohet në vitin 2022, duke arritur rreth 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Kjo situatë na detyron të rivlerësojmë se si e arrijmë kalimin tonë afatgjatë drejt neutralitetit të klimës, i cili nuk është vetëm qendror për luftën tonë mjedisore, por kyç për strategjinë tonë të rritjes.

Në Versajë, marsin e kaluar, udhëheqësit e BE ranë dakord të forconin sovranitetin europian në mbrojtje, ekonomi dhe energji. Sot, ne e njohim nevojën për një strategji të re energjetike në trajtimin e kësaj krize dhe për të hedhur terrenin për një ekonomi elastike.

Gjermania do të ketë një dimër të vështirë përpara

Kjo është arsyeja pse unë po bëj thirrje për një bashkim të vërtetë energjetik. Kjo do të sjellë rishikimin e shumë prej besimeve tona të vjetra dhe veprimin më kolektiv, si europianë.

 Ashtu siç e pamë gjatë Covid-19, asnjë vend i vetëm nuk mund të përballojë një krizë të këtyre përmasave. Ne duhet të përballemi me tabutë që lidhen me kompetencat kombëtare dhe të BE-së. Një bashkim energjie elastik nuk do të shfaqet në mënyrë magjike nga 27 përzierje kombëtare të energjisë - ne duhet t'i bëjmë ato të pajtueshme.

Kjo do të kërkojë një koordinim të fortë dhe të sinqertë ndërmjet shteteve. Dhe ne duhet të krijojmë kuadrin e nevojshëm rregullator dhe kushtet e tregut që u shërbejnë më së miri interesave të qytetarëve dhe kompanive tona.

Protesta kundër masave për reduktimin e energjisë elektrike

Për të arritur një kompromis, ne duhet të kthehemi te vlerat dhe parimet në të cilat besojmë të gjithë. Solidariteti, drejtësia dhe transparenca. Këto janë parimet që do të na çojnë drejt sigurisë së furnizimit, kushteve të barabarta dhe çmimeve të përballueshme dhe do të rivendosin besimin në treg. Strategjia jonë e përbashkët e energjisë duhet të ketë katër synime.

Së pari, reduktimi i konsumit tonë. Kjo do të jetë e rëndësishme jo vetëm këtë dimër, por përgjithmonë. Tashmë kemi nisur në këtë rrugë. Do të kërkojë shumë inovacion dhe kreativitet. Duhet të jemi të sinqertë për sfidat përpara.

Së dyti, ne duhet të sigurojmë sigurinë e furnizimit. Ne po diversifikohemi nga energjia ruse në ofrues më të besueshëm. Nuk duhet të përsërisim gabimet e së shkuarës, duke u bërë tepër të varur nga një burim i vetëm.

Kjo do të thotë të përdorim më mirë fuqinë tonë blerëse kolektive përmes platformës së përbashkët të energjisë të BE-së që vendosëm të krijojmë në mars, në vend që të konkurrojmë dhe të rrisim çmimet.

Një përzierje e larmishme e energjisë do të zvogëlojë rrezikun e varësisë nga energjia.

Tregu ynë i energjisë elektrike u konceptua në një kohë tjetër për një kohë tjetër. Nëse duam të reduktojmë konsumin, të diversifikojmë dhe të arrijmë zero neto, duhet të investojmë më shumë në kërkime, inovacion dhe teknologji.

 Mënyra më e mirë për të ulur çmimet është të kemi një qasje më kolektive. Strategjia jonë e përbashkët e energjisë duhet të përforcojë kohezionin e tregut tonë të vetëm. Siç e pamë në fillim të pandemisë, veprimet legjitime të ndërmarra nga qeveritë për të mbrojtur familjet dhe bizneset e tyre mund të shkaktojnë çekuilibër. Kjo krijon një përshtypje të padrejtë.

 Dhe në fund rrezikon dinamizmin e tregut të vetëm, një nga asetet tona më të çmuara.

Kriza globale financiare dhe kriza e borxhit sovran nxitën BE-në të krijojë një bashkim bankar, për të siguruar stabilitetin e sektorit bankar. Pandemia na mësoi të bashkojmë burimet tona në sektorin e shëndetësisë.

Kështu kemi zhvilluar dhe prodhuar vaksina për të gjithë qytetarët e BE-së, pavarësisht se ku kanë jetuar. Ne tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë në sektorin e energjisë dhe të krijojmë këtë bashkim të mirëfilltë energjetik.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si

*Charles Michel është president i Këshillit Europian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë