Ne rrjet

BE-ja dhe SHBA-ja i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë të nisin bisedimet!

Pas anulimit të samitit të Parisit më 1 korrik, gjatë së cilës përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës ishin planifikuar të takoheshin me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Beogradit dhe Prishtinës i të rikthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve.

Konfirimimi erdhi nga qeveria gjermane, e cila gjithashtu deklaroi se Berlini dhe Parisi do të mbeten në kontakt të ngushtë me Beogradin dhe Prishtinën. Por duket se nisma e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris dështoi, duke lënë pas vetes debatet se kush ishte fajtor?

Zëdhënësja për Politikat e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Maja Kocijančič, tha se Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen urgjentisht në tryezën e negociatave dhe se vendet anëtare të BE, si dhe Shtetet e Bashkuara, i kërkojnë njëzëri Prishtinës të heqë tarifat për mallrat nga Serbia.

"Përfundimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është urgjente sepse situata e tanishme jo vetëm që stimulon pasiguri, por gjithashtu po i largon të dyja vendet nga mundësia e arritjes së një marrëveshje", tha Kocijančiç.
Sipas zëdhënëses së Federica Mohgerinit tarifat ndaj importeve serbe janë arsyeja për bllokadën e dialogut.


Maja Kocijančič

Kur u pyet se cili është pozicioni i Federica Mogherini kur bëhet fjalë për samitin e Parisit, Kocijančiç tha se takimi i fundit në Berlin dhe ai i planifikuar në Paris, mund të paraqisnin një mundësi të mirë për rajonin. Ajo gjithashtu deklaroi se arritja e një marrëveshje do të ishte mënyra më e mirë për përparimin e rajonit.

Kocijančiç thotë se edhe Serbia duhet të bëjë pjesën e saj, në mënyrë që të hapë rrugën për rifillimin e dialogut. Por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk e di përse nuk do të mbahet takimi i Parisit, por theksoi se Kosova është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve, por pa kushte dhe kërkon krijimin një kuadrit të një marrëveshjeje përfundimtare që çon në njohje të dyanshme.

Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën.

"Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e konsiderojnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për shtyrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, shkruan presidenti. “Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen europiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”.

Emmanuel Macron dhe Angela Merkel

Por Haradinaj iu përgjigj duke shkruar se “ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë”.
"Mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që i ka prapë të pacenuara. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, shkroi ai.

Shtetet e Bashkuara ndërkaq u bënë thirrje palëve që “të heqin pengesat, t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve”. Në një deklaratë me shkrim, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se “ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe Bashkimin Europian si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Edward Joseph, i tha po këtij programi se anulimi i takimit të Parisit është shenjë se Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen me shumë në bisedimet Kosovë – Serbi.

Procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbetet i bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pas vendosjes së tarifave nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj qasjes serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Poznan të Polonisë në kuadër të takimit të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbahet nga 3 deri më 5 korrik, por nuk pritet që ky takim të ushtrojë ndonjë ndikim në ngërçin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë