Analize

BE dhe Ballkani ndodhen në një marrëdhënie toksike

Më 1 korrik, Sllovenia mori drejtimin e Presidencës së Këshillit të BE-së duke premtuar përpararime dhe zgjidhje kontrete për bllokimin e procesit të zgjërimit në Ballkanit Perëndimor. Por si në çdo “romancë problematike”, asnjë nga këto zotime nuk është mbajtur.

Bullgaria mban ende pozicionin e saj kundër fillimit të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, duke vështirësuar më tej rrugën edhe për Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi mbajtën konferencat e para ndërqeveritare nën metodologjinë e re pranverën e kaluar, por që atëherë puna për hapjen e kapitujve të tjerë është ndalur. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe nuk ka patur asnjë zhvillim i ri as në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën apo marrjes së statusit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinën.

Nëse ka ende një perspektivë për Ballkanin, ai është Samiti Brdos, muajin e ardhshëm. Nëse as takim midis liderëve të BE-së dhe atyre të rajonit nuk ka arritje të prekshme, romanca BE-Ballkan do të vazhdojë të përkeqësohet ngadalë, siç ndodhi në rastin e Turqisë, derisa të shkatërrohet përfundimisht dhe dy palët të shohin secila interesat e tyre.

Duket se çdo gjashtë muaj, progress-raportet e shkruara nga Komisioni Europian dhe opinionet e shprehura për këtë çështje kanë përmbajtje pak a shumë të ngjashme. Fjalët kyçe janë zhgënjimi me BE-në, pasiguria, procesi i pafundëm, lodhja nga zgjerimi dhe mungesa e reformave. Për më tepër, zyrtarët e BE-së janë bërë shumë të parashikueshëm, duke premtuar në çdo takim se “Ballkani Perëndimor i përket BE -së” dhe se “Brukseli mbetet i përkushtuar ndaj Ballkanit”.

Ajo që është bërë e qartë nën presidencën sllovene është se BE-ja dhe Ballkani ndodhet në një raport toksik. Marrëdhënia midis dy palëve po kalon në një krizë serioze pa perspektivë për të ardhmen.

Në aspektin teknik gjithçka është gati. BE-ja tashmë ka rishikuar metodologjinë për negociatat e pranimit dhe ka shpallur Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, me vlerë 9 miliardë euro. Në prill, Komisioni Europian, në bashkëpunim me Austrinë, miratoi ofrimin e rreth 650,000 vaksinave për të gjithë rajonin dhe një paketë mbështetëse financiare prej 3.3 miliardë eurosh për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Por në askpektin politik, procesi i zgjerimit është praktikisht i padukshëm, pasi nuk ka afate kohore të prekshme për anëtarësimin, madje as për vendet që kanë arritur përparim me negociatat ndër vite, si Mali i Zi dhe Serbia. BE nuk ka asnjë mekanizëm për të bllokuar veton e Bullgarisë, dhe për këtë arsye nuk është në gjendje t'i zgjidhë krizën e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Një zgjidhje alternative mund të jetë nisja e bisedimeve nëse miratohet nga shumica e vendeve, por kjo strategji ka shumë të ngjarë të kundërshtohet nga shtetet më të vogla anëtare, të cilat do të humbasin të vetmin mjet që i bën të barabarta në union. Tani është hera e dytë që Maqedonia e Veriut bllokohet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE për një mosmarrëveshje me një vend fqinj, duke mbajtur peng edhe Shqipërinë.

Kompleksiteti i çështjes aktuale është se ai ndërhyn drejtpërdrejt në ndërtimin e kombit, një proces shumë intim për çdo vend evropian. Megjithëse Komisioneri Várhelyi vizitoi Sofjen dhe Shkupin, me një propozim për përkufizimin e gjuhës maqedonase në BE, Bullgaria nuk u bind të hiqte veton, pasi vendi po kalon krizën e vet politike të brendshme. Të gjitha palët në Bruksel thonë se kjo çështje po merret seriozisht dhe  që unioni po angazhohet që vetoja të hiqet gjatë Presidencës Sllovene. Në realitet, megjithatë, shpresat për ndonjë përparim të madh janë të ulëta.

Vetëm Bullgaria, Rumania dhe Kroacia kanë arritur të bashkohen me unionin europian në 15 vitet e fundit, dhe disa shtete (si Maqedonia e Veriut) kanë qenë kandidatë për anëtarësim për 18 vjet. Zgjerimi i vitit 2007, i parë gjerësisht si i parakohshëm nga shumë shtete anëtare të Evropës Perëndimore për shkak të standardeve të pamjaftueshme mbi sundimin e ligjit, çoi më vonë në “lodhjen nga zgjerimi” duke bërë që shumë shtetet anëtare të jenë kujdesshme për përsëritjen e gabimeve të së shkuarës.

E parë nga perspektiva e vendeve kandidate, politika jokonsistente e zgjerimit e BE -së dhe qasja e saj "e ftohtë" u ka dhënë terren euroskeptikëve në rajon, të cilët po përdorin argumentin se është BE -ja ajo që po i bën që vendet e unionit t'i kthejnë shpinën Perëndimit. Ashtu siç ndodh me shume romanca të dështuara, edhe vendet e BE-së po "flirtojnë" me aktorë të tjerë të jashtëm nga Lindja, Turqia, Kina, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

BE -ja duhet të bëjë një ndryshim të shpejtë drejt rajonit dhe të “shërojë” këtë marrëdhënie toksike, duke treguar një vullnet politik për integrimin e rajonit. Kjo mund të arrihet ose duke arritur një konsensus real për të hapur dyert për vendet e rajonit, ose duke hequr fuqinë e disa shteteve anëtare për të ushtruar interesat e tyre kombëtare mbi interesat e Bashkimit. /European Western Balkans/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë