Politike

Basti me historinë, Rama: PS, jo mbulesë e atyre që shkelin ligjin. Të hapemi, të pastrojmë administratën nga parazitët

Premtoi se do të mbajë më pak fjalime në këtë mandat të tretë. Kohën më të madhe të fjalës ia kushtoi Gramoz Ruçit i cili me herët njoftoi dorëheqjen nga politika.

"Shumë e mendojnë Gramozin si një konservator, i cili rri aty në majë të Parlamentit si sfinks, pa gjuhë të huaja, pa Facebook, pa Instagram me të cilin më mirë të mos ngatërrohesh se të gjen belaja...

Ishte edhe ai që të dyve ne, Fatosin më parë dhe mua më pas na ka dhënë sigurinë dhe mbështetjen që të hapnin shtigjet e reformave pa na ardhur stuhia e kundërshtive që përplasen te dera e shokut Gramoz dhe na jepnin neve mundësinë që të vijonim... Unë të uroj labçe 'të na rrosh sa malet shoku Gramoz", tha kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në kongresin e jashtëzakonshëm. Por si e mori vesh vendimin për dorëheqje? “... Nuk dua t’ua fsheh se në takimet  e fundit të takimeve të panumërta, Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr, duke e njohur besoj që ishte një vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi dhe nga ai çast akoma nuk e gjej dot si do të mbushet boshllëku i largimit të tij. Pa këshillën e Gramozit do e kishim humbur për fajin tim disa prej ndeshjeve, e di që ai do mbetet këshilltari im më i besuar për strategjitë. Merakun e kam te boshllëku i madh i një eksperience të pashoqë.

Askush nuk është i pazëvendësueshëm e di, por e di që jo gjithkush është  lehtësisht i zëvendësueshëm...”, tha Rama

“Të mësojmë të gjithë nga ky veprim i tij, të dish të dalësh nga politika është art më vete, do Zoti ka kem dhe unë këtë art. Janë shumë vitet e punës që kemi ndarë mes nesh, që nga dita e zgjedhjes sime, nuk ka pasur një moment të vështirë që nuk e kam pleqëruar me ty dhe të jam mirënjohës”, vijoi ai. Por mirënjohës, Rama u shfaq edhe ndaj ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano.

“Faleminderit liderit të parë të saj, babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e 'vrava' dhe pastaj e rigjeta të rilindur në respektin dhe vëmendjen e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit”

Rama i mbylli falënderimet për të gjithë drejtuesit e PS ndër vite përfshi edhe anëtarësinë për t’ju rikthyer të tashmes dhe asaj që do të bëjë në mandatin e tretë qeverisës, duke përcjellë disa mesazhe konkrete.       

"Mandati i tretë mund të jetë edhe i fundit po të dojë nëse mandati i katërt varet nga këta arrogantët që futen në zyrat e shtetit me mbështetje, që nga ministrat e deri të nivelet e drejtorëve në qytetet e Shqipërisë. Kur të gjeni kushërinjtë dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore, ecni dhe kërkoni vend për kushërinjtë dhe krushqit tuaj.

Ne do të jemi shumë të qartë me çdo anëtar të kësaj partie që vjen dhe thotë 'dua punë në shtet'. PS nuk është qëllim por mjet për të arritur qëllimet e kësaj familje të madhe.  Ky është një bast i madh por është basti ynë me historinë...”, tha Rama. Dhe kur flet për bastin me historinë, Rama ka parasysh edhe ata politikanë që nesër mund të jenë para ligjit.  “Flamuri i PS-së nuk do të bëhet dot mbulesë e askujt. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel ligjin por mban përgjegjësi për mënyrën se si reagon. PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit prej nesh por është mbështetësja, garantja e reformës në drejtësi dhe prirësja e barazisë para ligjit". 

Rama u fokusua shumë tek hapja e partisë dhe kontakti më i madh me njerëzit.

Ai njoftoi se do të krijohet Këshillimi Kombëtar, ku qytetarët do të pyeten për çështje madhore çdo 1 vit dhe takimi i parë do të bëhet në vjeshtë.

Rama paralajmëroi edhe ndryshime në administratë.

“Nuk nis në mandatin e tretë, por do e çojmë përpara duke filluar nga komunikimi publik, marrëdhënie me rivalët, por duke mos e harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun, me punën e përditshme, dua që mandati i tretë të shënoj një hapje të re të Këshillit kombëtar, dua që populli të mos dëgjohet 1 herë në 4 vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit, për çështjet me interes kombëtar ne do i ndajmë me popullin dhe do këshillohemi me të gjithë që do duan të shprehen përmes Këshillimit Kombëtar, që do të jetë një institucion ndërveprimi me shkrim me të gjithë qytetarët e këtij vendi. Do përgatitemi që këtë vjeshtë të kemi Këshillimin e parë, platforma e bashkëqeverisjes të ngrihet në një nivel të ri dhe ndërveprimi të marrë firmë dhe për çdo qytetar që nuk merr përgjigje të ketë forcën ligjore që të mbajnë përgjegjësi. Nuk kam asnjë motiv më të madh për të dhënë nga vetja, dua që të bindem gjatë rrugës se kjo për ju nuk është diçka e bukur për t’u thënë, por vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhtarë...

Do shtyjmë më fort përpara duke mbështetur pa rezervë çlirimin e sektorit publik nga parazitët dhe arrogancën të veshura me mbulime politike, që e bëjnë flamurin e PS të duket si leckat e gabit, dua që PS të hapet.

Fushatë 1 vjeçare anëtarësime të reja, duke kërkuar më të mirën, duhet të hapim dyert e qeverisë, që nga kabineti i ministrave, të bordeve, departamenteve për vajza dhe djem të shkolluara jashtë shtetit dhe për vajzat dhe djemtë të shkolluar brenda, që përballë injorantëve kërkojnë vetëm një shteg për të ikur nga Shqipëria... Do të kryejmë një metamorfozë të administratës në një administratë hibride që prania fizike të mos jetë e domosdoshme, por edhe online", tha Rama.

Në fund, ai u ndal edhe tek opozita dhe shpallja e Berishës “non grata” nga DASH.

“Duhet t’u ikim sherreve, t’u shmangemi konflikteve, fushata ka mbaruar, PS ka fituar... Ç’na duhet ne se çfarë bën PD? Ç’punë kemi ne si i bën zgjedhjet brenda saj, sesi kremton fitoren e zgjedhjeve të lira, pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura, pasi votat u numëruan….

Çfarë na intereson ne se di apo s’di PD si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit… ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh do të korrësh thotë populli…“

 “Me PD do të debatojmë sa të mundemi kur të mundemi për politikat që i duhen vendit. Ndërsa me atë politikën që i ka ezuaruar nervat vendit, do të mbajmë në distancë higjienike…Ne kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë