Politike

Kongresi i PS, fjala e munguar e Veliajt, Balla: Kemi nevoje për organizim të ri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ishte i ulur në rreshtin e parë, ku renditej kabineti qeveritar në njërin kah të Ramës dhe Gramoz Ruçi, Taulant Balla apo edhe anëtarja më e re e PS-së, e bija e deputetit të ndjerë Bashkim Fino në anën tjetër.

Veliaj ndoqi punimet e kongresit nga shkallët e stadiumit “Air Albania”, si shumica e anëtarëve të kongresit dhe figurave të PS.

Ai nuk mbajti asnjë fjalë të rastit, as kur në tribunë dolën në rresht  (pas Ramës, Ruçit dhe Ballës) ministrat kryesore të qeverisë aktuale, si Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Evis Kushi, Blendi Çuçi, Etilda Gjonaj, Ogerta Manastirliu apo Milva Ekonomi deri tek ish- zëdhënësja e fushatës së PS-së, Bora Muzhaqi.   

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla tha se duhet analizë e thellë në parti për tu bërë gati për zgjedhjet vendore e më pas ato parlamentare.

“Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare në vitin 2025. Në të gjitha qarqet ne duhet të përmirësojmë dhe ri-organizojmë përbërjen dhe strukturën tonë organizative. Do të jetë Komisioni i Posaçëm i Ri-organizimit, i cili me shumë objektivitet do të prodhojë raportet analitike të rezultateve ndër vite dhe në marrëdhënie më objektivin elektoral, por është evidente që kemi nevojë për një organizim të ri të partisë në çdo cep të territorit. Ky Kongres është një moment i rëndësishëm në një hapje të re, që PS të jetë e mirë për të gjithë të tjerët, me fokus në thellimin e barazisë gjinore, në përthithjen e sa më shumë të rinjve, në vendosjen e piketave tona organizative për zgjedhjet vendore pas dy viteve, për të cilat kryetarët e bashkive dhe anëtarët tanë të këshillave bashkiake duhet ta kuptojnë se kohë për pushime verore nuk ka", tha ndër të tjera Balla gjatë punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë