Para

Basti i qeverisë me bastet online dhe çfarë i shqetëson ekspertët

Nga Gisela Troplini - Fati i lojërave të fatit do të vendoset për pak ditë në parlament, referuar deklaratës së kryeministrit Edi Rama, kur ai tha se është gati i projektligji i basteve online.

Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version publik të këtij drafti dhe as detaje se si do të menaxhohen, llogariten dhe mblidhen fitimet, përveç atyre të deklaruara nga qeveria dhe propozuesi i kësaj nisme, kreu i KOKSH, Fidel Ylli.

Një ditë më parë, Ylli dha disa detaje për funksionimin e tyre nga licencat tek individët. Ai tregoi se janë menduar të jepen 7 licenca në total, (më herët ishte 3) sipas eksperiencës së drejtuesit, në mënyrë që të shmanget monopoli dhe do të operojnë me një llogari bankare.

“Që të marrësh një licencë bastesh duhet të kesh një herë një histori se kush je ti. Çfarë personi je? Ke apo nuk ke eksperiencë në këtë fushë. Sa para ke? Dhe duhet të lësh garanci. Pra në rast se dikush luan në një kompani bastesh dhe fiton, nëse ai që ka një kompani bastesh, pronari nuk i jep paratë. Çfarë do bësh? Shteti thotë që ai që e merr do të lërë një garanci bankare x milionë dollarë në bankë dhe këto janë garanci për lojtarin. Siç tatohesh ti për rrogën, siç tatohem unë për rrogën edhe lojtarët do tatohen. Kontrolli online do të jetë gjëja kryesore”- tha kreu i KOKSH, Fidel Ylli.

Po ashtu ai sqaroi se bastet nuk do të vihen më me anë të parave “cash”. Të gjitha pagesat do të bëhen me kartë bankare, kjo gjë sipas tij do e bëjë më të lehtë kontrollin.

“Lojtarët” detyrimisht +18 vjeç, do të duhet të paguajnë si taksë 15% të shumës në rast se fitojnë dhe po ashtu, shuma e përdorimit mujor do të jetë e limituar, në raport me të ardhurat e individit.

Të ardhurat do të grumbullohen në një numër llogarie të një agjencie nën drejtimin e ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe do të shkojnë për sportin.

Fillimisht, në dokumentin e Strategjisë së të ardhurave 2022-2026, nga ministria e Financave, në një paragraf thuhej se formalizimi i tyre do të rriste të ardhurat tatimore me 0.25% të PBB-së. Sipas kreut të KOKSH, të ardhurat për shtetin do të shkonin deri në 2 mld lekë  (17 mln) euro nga taksat.

Taksat

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, thotë për Gazetasi.al se pikërisht vjelja e të ardhurave do të jetë pjesa e vështirë e kësaj nisme. Ai ngre pyetjen se “si shteti mund të vjelë taksa nga ky aktivitet kur nuk mundi kurrë ta mbyllë atë?”

“Bastet vazhduan të punonin në të zezë. Tani nuk ka ndryshuar asgjë nga pikëpamja teknologjike që të siguron se ti mund të arkëtosh nga ky aktivitet. Të gjithë po e pranojnë këtë, kur ti nuk ke mundësinë t’i ndalosh ato të punojnë në të zezë pse do kesh mundësi të vjelësh taksa? Ato luajnë në portalet e huaja tani, pse në të ardhmen të mos vazhdojnë të luajnë po në portalet e huaja e të luajnë tek ato shqiptare ku do të paguajnë edhe taksa?”, thotë eksperti Muço.

"Kur ti nuk ke mundësinë t’i ndalosh ato të punojnë në të zezë pse do kesh mundësi të vjelësh taksa?" Klodian Muço, ekspert ekonomie

Referuar deklaratave për të ardhurat që pritet të jenë sa 0.25% e PBB-së së vendit, Muço thotë se shifra është e papërfillshme në raport me xhiron, duke rikujtuar një deklaratë të kreut të KOKSH, kur thoshte se xhiro e këtij aktiviteti është 600-700 mln euro dhe taksa vetëm 2 mld lekë (17 mln euro).

Sipas disa versioneve të dala nga MFE, por jozyrtare, të ardhurat nga ky aktivitet do të taksohen me 25%.

Eduart Gjokutaj, analist në qendrën Altax, duke detajuar procesin e taksimit të këtij aktiviteti për Gazetasi.al thotë se mënyra që arkëtimi të jetë i arritshëm është “një lidership i pavarur dhe i pakapur që ka mësuar nga e kaluara “mëkatare” e lojërave të fatit.” Ai shton se në rast se ky mision përmbushet, efekti do të jetë pozitiv në financat publike dhe se ekonomia formale mund të fitojë deri në 160 mln euro në vit.

“Nisur nga trajtim i ligjit në fuqi duket se drafti i ligjit të ri të lojërave të fatit do të përshtatet me këtë trajtim të TVSH-së për lojërat e fatit online në të ardhmen. Sipas ligjit aktual përcaktohen si të ardhura të tatueshme të ardhurat nga lojërat e fatit. Aktualisht tatimi mbi lojërat e fatit është sa 15% e të ardhurave bruto (të ardhurat që fiton nga përfundimi me sukses i një loje fati). Identifikimi i të ardhurave të përfituara nga loja e fatit online është pikërisht pjesa që është risi duke u arritur të identifikohet nëpërmjet kartës së identitetit edhe lojtari dhe regjistrimi në momentin që fitohet shuma duke sinjalizuar sistem monitorues dhe regjistrimin në bazën e të dhënave për këtë qëllim, që ka formatin e një regjistri fiskal. Nëse do të ketë një lidership të pavarur dhe të pakapur, që do të dijë të mësojë nga e kaluara mëkatare e evazionit nga lojërat e fatit, mendoj se programi buxhetor për arkëtimin e tatimeve nga ky aktivitet mund të përmbushet”, - tregon Gjokutaj.

Në kushte të tilla, Gjokutaj thotë se kjo do të ishte pozitive për qeverinë, borxhin e saj, subvencionet e energjisë dhe mbështetjen ndaj shtresave vulnerabël.

"Nëse do të ketë një lidership të pavarur dhe të pakapur, që do të dijë të mësojë nga e kaluara mëkatare e evazionit nga lojërat e fatit, mendoj se programi buxhetor për arkëtimin e tatimeve nga ky aktivitet mund të përmbushet”, Eduart Gjokutaj, analist në qendrën Altax

Taksimi i basteve online përplasi ministren e Financave me deputetët, dhe ata socialistë, në komisionin kur po shqyrtohej buxheti 2023. Aty, ishte përllogaritur vlera e parashikuar nga taksimi i basteve, por ligji nuk kishte kaluar, as nuk ishte konsultuar, madje as ideuar. Sipas deputetëve në komision në buxhetin vjetor nuk mund të parashikohen efekte për ligje të pamiratuara ende.

(In)formalizimi

Marrja e këtij tregu nga duart e krimit dhe ligjërimi i tij, nuk është aq kinematografike sa tingëlloi thënë nga kryeministri.

Për ekspertin Muço, i vetmi ndryshim do të jetë se personat do të jenë më të qetë tani se po fitojnë me ligj, por do të jenë po të njëjtët, ndërkohë që evazioni do të vazhdojë. “Do të jetë një vrimë në ujë që do të bëjë prapakthehu” deklaron ai.

Gjokutaj thotë se aktiviteti do të jetë i detyruar edhe me vullnet pozitiv të bashkëjetojë me informalitetin, paranë e pistë dhe evazionin për t’i rezistuar problemeve që mbart tregu dhe ekonomia shqiptare. Ai shtoi se fakti që tani do të luhet online, nuk i mbyll shtigjet e pastrimit të parave “duke u dhënë kriminelëve një mënyrë për t'i kthyer në heshtje paratë me origjinë të dyshimtë në fitime për t’i përdorur më tej në ekonomi.”

Fundi i basteve

Mbyllur ligjërisht në 31 dhjetor 2018, bastet sportive, online dhe fizikisht qarkullonin ende para në Shqipëri, pranuar kjo më vonë edhe nga vetë qeveria.

Muço thotë se kjo ndodhi për shkak se shteti nuk pati aftësinë të kontrollojë e monitorojë këto aktivitetet dhe zgjodhi t’i mbyllë me ligj, por nuk ia doli kurrë. Ai rikujton se para disa vitesh në Shqipëri kishte vetëm 3 licenca të dhëna për bastet dhe për çdo licencë mund të hapeshin 1.000 pika, por në Shqipëri operonin 4.300 pika, mbi 1.000 të paligjshme. “Paaftësia e shteti për t’i kontrolluar i çoi në mbyllje dhe aktiviteti kaloi në dorën e krimit. Bastet do të jenë një vrimë në ujë”, thekson Muço.

Për ekspertin Gjokutaj, kjo ndodhi sepse vendimi i qeverisë nuk qe i studiuar dhe i konsultuar me të gjitha palët, dhe tregu reagoi.

Eksperti Muço rikujton për Gazetasi.al një tjetër pasojë të rëndë të këtij aktiviteti, që 5 vite më parë kryeministri Rama e përdori si argument pro mbylljes së basteve.

“Kur kryeministri i mbylli bastet në 2018-n, foli për fenë, për varësinë dhe tani thotë se paratë që do të mblidhen do të shkojnë për sportin dhe kulturën, po për varësinë? Ku shkoi varësia? Duhet që një pjesë  e këtyre parave të shkojë për varësinë, siç ndodh në çdo vend të botës ku luhen bastet”, - sugjeron eksperti.

Muço thotë se këtë herë nuk do të kenë as ndonjë të mirë në punësim, sepse janë online.

“Më para ne kishim shumë të punësuar, në ambientet ku zhvilloheshin lojërat, impakti në punësim tani do të jetë minimalist. Do të fitojnë po ata që fitonin deri tani, por do të jenë më të qetë!”

Me këtë dakordësohet edhe eksperti Gjokutaj i cili thotë për Gazetasi.al se të ardhurat e destinuara nga lojërat e fatit mund të ndikojnë edhe në zbutjen e një pjese për tregun e punës, por me një nivel punësimi që ka ndikime të vogla në raport me tregun aktual.

Gushtin e shkuar, kryeministri pati një dëgjesë publike me ata që kërkuan rikthimin e basteve, ku u dhanë propozimet e para.

Fillimisht Rama tha se aktiviteti do të menaxhohet nga ministria Arsimit dhe se ajo e Financave do t’i mbajë duart larg sepse “i do paratë për buxhetin e shtetit”, ndërsa Arsimi për sportin e kulturën, ku është premtuar të shkojnë fitimet.

Në të njëjtin takim, drejtori i lojërave të fatit, Zhani Çakuli propozoi se nëse hapen bastet, të monitorohen transaksionet online dhe personat që do të luajnë do të regjistrohen me kartë identiteti.

Kreu i KOKSH, Fidel Ylli, qartësoi se propozimi për rihapjen e basteve sportive ka ardhur bashkë me propozimin që aktiviteti të monitorohet nga shteti dhe jo privati.

Sipas të dhënave nga policia e shtetit në 3 vitet e fundit janë bllokuar 6 mijë linqe online të faqeve të internetit ku ushtroheshin bastet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë