Para

Drafti i basteve online / S’ka më para cash. 15% ‘tatim’ për organizatorët dhe lojtarët shkon në fondin e Posaçëm

Nga Gazeta ‘SI’ - Organizatorët e basteve sportive online do të “tatohen” me 15% të shumës së fituar, por nuk do të jetë një e ardhur e arkëtuar nga arka e shtetit, por do të dërgohen direkt në “fondin e veçantë”, që i dedikohet më pas projekteve të institucioneve.

Drafti i sapodalë në konsultim publik nga ministria e Financave sqaron më tej se bastet nuk do të jenë me para cash, por vetëm nga institucionet financiare të autorizuara që quhen “agjent financiar” si Posta Shqiptare, bankat tregtare dhe jo-bankat me të cilët lidhen organizuesit.

Këta të fundit fillimisht duhet të kenë një kapital minimal prej 20 mln lekësh për të aplikuar për licensim, të kenë një eksperiencë 3-vjeçare në këtë fushë në një vend të BE-së dhe vendim se ai apo aksionerët e tjerë nuk kanë qenë kurrë të dënuar penalisht. Licensa i jep organizatorit të drejtë të menaxhojë deri në 1.000 njësi bastesh online.

Në draft thuhet se në rast marrje license, organizatori ”është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 mln lekësh ose jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat”.

Drafti përmend me tej edhe reklamimin e këtij aktiviteti në media, ku ndalohet ai në mediat e shkruara dhe audiovizive, por mund të lejohet pas orës 22:00 kur jepen programe sportive. Reklamat nuk ndalohen në median elektronike.

Publiciteti duhet të theksojë se “Lojërat e fatit krijojnë varësi. Kujdes në ushtrimin e tyre të tejzgjatur”.

Në dokument përmenden edhe llojet e tjera të lojërave të fatit, si lotaria Kombëtare, për të cilën është ulur kapitali i kërkuar nga 1.2 mld në 40 mln lekë.

“Taksën” që do të shkojë në fondin e veçantë do ta paguajnë edhe kazinotë edhe bingot televizive edhe lotaria kombëtare.

Ndërkohë, po me 15% pritet të tatohen edhe lojtarët individualë, kur ata fitojnë nga bastet online, duke e llogaritur si “të ardhura të tatueshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë