Menaxhim

Bashkimi i Ujësjellësave/ ERU propozon unifikimin e faturës në 1400 lekë: Do sjellë kosto të mëdha sociale

Enti Rregullator i Ujit (ERRU), në një raport të fundit ka nxjerrë dy variante për bashkimin e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.

Një prej alternativave është unifikimi i faturës mujore të ujit në 1.400 lekë. Aktualisht vlera mujore e ujit nis nga 350 lekë deri në 2.000 lekë në muaj.

Kjo metodë do rriste me 4 herë shpenzimet e konsumatorëve që paguajnë faturë minimale. Vetë ERRU e pranon se kjo do të krijonte kosto të mëdha sociale, sidomos për zonën verilindore.

Në raportin “Alternativat e agregimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve”, ERRU thekson se një ndër opsionet është që sektori të agregohet në mënyrë të menjëhershme dhe të jetë i organizuar në nivel kombëtar me një ose 3-4 shoqëri UK, ose alternativa tjetër për agregime graduale pilot të ujësjellës-kanalizimeve brenda qarkut. 

Për t’i paraprirë këtij procesi dhe në zbatim të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit për vitin 2020, ERRU ka vlerësuar edhe tarifën e agreguar, për rastin e bashkimit të menjëhershëm të 57 ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve në 3 ose 4 shoqëri. ERRU vlerëson se për mbulimin e kostove do të duhet të aplikohet një faturë e unifikuar me vlerë 1.400 lekë/muaj.

Për alternativën tjetër agregim gradual mbi baza vullnetare dhe me iniciativë nga qeveria qendrore, ERRU rekomandon se për seleksionimin e 2-3 shembujve pilot rekomandohet që të kihen parasysh 5 kritere, si:

1. Të synohen agregime të shoqërive brenda një qarku, ku kryetarët e pushteteve vendore mundësisht të jenë të një krahu politik dhe që mirëkuptohen ndërmjet tyre;

2. Përgjithësisht agregimi duhet të bëhet ndërmjet një shoqërie financiarisht të qëndrueshme me një ose disa shoqëri me performancë financiare të dobët; ndërgjegjësimin dhe angazhimin paraprak të kryetareve të bashkive në lidhje me avantazhet e agregimit (ekonomi e shkallës), si mënyra më e përshtatshme për të përmirësuar performancën financiare të shoqërisë dhe cilësinë e shërbimeve ndaj konsumatorëve;

3. Agregimi duhet realizuar me vullnet të lirë dhe shoqëruar me iniciativa nga qeveria qendrore;

4. Incentivat do të konsistojnë në kompensimin/subvencionimin për një periudhë tranzitore të deficitit financiar të kostove të O&M të shoqërisë së dobët financiare të agreguar, si dhe me incentiva investimesh fizike për zonën e re të shërbimit të shoqërisë së agreguar.

5. Me iniciativën e qeverise qendrore (MIE) bashkitë/shoqëritë UK e seleksionuara për agregim të suksesshëm të firmosin marrëveshjet paraprake të dakortësisë për agregim, sipas një draft modeli të parapërgatitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë