Mendim

Bashkimi i shqiptarëve!

Disa kanë ardhur nga vendet fqinje, por shumë të tjerë i janë përgjigjur ftesës së Ministrisë së Diasporës duke ardhur nga ana tjetër e botës. Për 1500 shqiptarët që ishin mbledhur sot në samitin e disasporës në Tiranë, ky takim ishte një mundësi e rrallë për t’u ndjerë sa më pranë vendit të tyre. Bashkimi dukej se ishte kryefjala të gjitha bisedave, paneleve e takimeve, madje edhe e fjalimit të kryeministrit Edi Rama. Nga ana tyre, shqiptarët e të gjitha trojeve shprehen të gatshëm për të bërë më shumë më shumë për Shqipërinë, madje për Mustafa Tomorrin bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një komb të vetëm është ëndrra e tij më e madhe.

“Nuk dua të vdes pa i parë shqiptarët të bashkuar”, thotë 85-vjeçari duke rrëfyer se është vendosur prej vitesh në Stamboll, por se vjen shpesh në Shqipëri, pasi do që ditët e fundit të jetës t’i kalojë në atdhe. “Nuk e di a do të vijë dita kur ne shqiptarët të ndalojmë së luftuari njëri-tjetrin dhe të kuptojmë se jemi vellëzër të të njëjtës nënë: Shqipërisë”, thekson ai.

I të njëjtit mendim duket se është edhe Hiat Dauti, një emigrant shqiptar në Itali i cili thotë se vendi ynë nuk ka zgjidhje tjetër veçse bashkimit.

“Unë vij nga Italia, jetoj prej 20 vitesh me familjen atje. Nuk kam ikur nga Shqipëria as për punë as për një jetë më të mirë, por për të shkolluar fëmijët e mi. Tani që ata e kanë vënë jetën përpara kam shumë dëshirë të kthehem. Për mua Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdha përpara. Ndoshta ju nuk e shikoni, por ne që jetojmë jashtë nuk mund ta mohojmë përparim që ka bërë vendi ynë”, shprehet ai.

Megjithatë, ndryshe nga samiti vitit 2016, shqetësimi më madh i të ftuarve janë raportet për ndarjen e Kosovës, shqetësim që dukej se reflktohej edhe në bisedat me gjysmë zëri të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Hashim Thaçi. Pothuajse të gjithë u ngritën në këmbë duke duartrokitur kur presidenti premtoi se Serbia nuk do të merrte asnjë centimetër të territorit të Kosovës. Mes brohorimave, dëgjoheshin edhe ato të Shahedin Hamberit, një shqiptari nga Presheva që kishte vendosur të vinte në samit me veshjen tradicionale të shqiptarëve të Luginës dhe sigurisht, qeleshen e bardhë.

“Kjo veshje tradicionale është trashëguar brez pas brezi, dhe ashtu si babai im, edhe unë do t’ia lë trashëgimi djalit. Për ne shqiptarë të Luginës nuk ka asgjë më të vyer sesa traditat tona”, rrëfen ai.

Shahedin Hamberi dhe Ramiz Aliaj

I pyetur për atmosferën në Luginë për zotimin e presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, ai thotë se: “Ne si shqiptarë të Luginës nuk duam asgjë më shumë sesa bashkimi me Dardaninë. Edhe kur u bë referendumi i parë, pothuaje të gjithë ishin pro bashkimit. Sigurisht që deklaratat e kryetarit (Thaçit) kanë ngrohur zemrat e shumë prej nesh, por edhe kanë lënë vend për shqetësime. Edhe pse e duam shumë bashkimin, ne nuk do donim që Kosova t’i jepte asnjë centimetër Serbisë, sepse nuk u detyrohet asgjë.”

I pyetur për vështirësitë e shqiptarëve në Preshevë ai thotë se është vetë Serbia ajo që po punon për shkëputjen e Luginës.

“Unë kam 13 nipër e mbesa jashtë. U lutem të kthehen pas, por në Preshevë nuk ka të ardhme. Edhe vetë Serbia është duke ndihmuar për shkëputjen. Na ka hequr gjykatën komunale, na ka hequr bankat, madje nuk mund të marrim as pensione. Është vetë Serbia ajo që po shtyn për ndarjen e Luginës, me qëllim marrjen e Veriut të Kosovës”, thekson ai.
I të njëtit mendim duket se është edhe miku i tij, Ramiz Aliaj, i cili edhe pse ka ardhur nga Australia për të ndjekur këtë samit, nuk i kursen kritikat për qendrimin e liderëve shqiptarë ndaj dialogut më Serbinë.

"Kam dëgjuar se Rama, Thaçi dhe Vuçiçiç janë takuar në Nish ku kanë ndarë kulaçin (territoret). Kjo është një strategji mjaft e zgjuar e Rusisë dhe Serbisë për të ndarë Kosovën dhe për të marrë ç’të munden, për të marrë më pas edhe Republikën Srpska. Diçka po zien”, thotë ai. “Unë jetoj në Melburne, por kam lindur në Prishtinë. Isha edhe në samitin e 2016-ës dhe vendosoja të vij këtë vit, sepse dua të jem pjesë e çdo ngjarjeje që bashkon shqiptarët”, thotë Ramiz Aliaj. Për mua nuk ka asgjë më të bukur sesa të shoh shqiptarët e të gjithave trojeve të bashkohen.”

I pyetur për rezultatet që ka dhënë sipas tij ky samit, Aliaj thotë se: "Toka që punohet jep fryte themi ne shqiptarët e Kosovës. Kështu që edhe ky samit them se do të japë frytet e tij.”

Për Sabri Hoxhën, një shqiptar që jeton prej më shumë se 12 vitesh në Rumani së bashku me familjen e tij, shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë për diasporën dhe mbrotjen e të drejtave të shqiptarëve anemabnë botës.

“Shumë prej nesh ndjejmë se Shqipëria na ka harruar” thotë ai. “Kemi probleme për të votuar ndërsa fëmijët kanë harruar të flasin shqip, sepse nuk kanë ku ta mësojnë. Them se kjo mbledhje është një fillim i mirë dhe që shteti shqiptar mos të harrojë se jemi gati 1 milionë shqiparë nëpër rajon dhe botë ”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë