Menaxhim

Bashkimi Europian i jep 72 mln euro Shqipërisë si masë mbështetëse për energjinë

Nga Gazeta 'Si'-Bashkimi Europian i ka transferuar 72 milionë euro Shqipërisë si pjesë e mbështetjes për të përballuar pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike.

Fondet janë pjesë e Paketës së Mbështetjes së Energjisë, që u shpallën në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë vitin e shkuar dhe janë nënshkruar në mars të 2023-shit.

Masat përfshijnë subvencionimin e çmimeve të energjisë për familjet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe dhënien e ndihmës financiare për 11.200 persona në nevojë.

“Vitin e kaluar agresioni rus kundër Ukrainës shkaktoi rritje të mëdha të çmimeve të energjisë në të gjithë botën. Nga kjo paketë mbështetëse e BE-së do të përfitojë drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit familjarë të energjisë elektrike dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri duke e ndihmuar kështu qeverinë shqiptare që t’i mbajë çmimet e energjisë elektrike të qëndrueshme dhe që të diversifikojë burimet e energjisë.

Ky është një shembull konkret që tregon se si e mbështet BE-ja Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.

Vitin e ardhshëm do të transferohen edhe 8 milionë euro të tjera në pritje të progresit që do të arrihet me zbatimin e masave përkatëse nga Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë