Interviste

“Bashkimi doganor ballkanik me pasoja politike, nuk vlen ekonomikisht”

Ditën kur u mbajt forumi i radhës për minishengenin ballkanik, javën e kaluar, Irena Beqiraj, në blogun e saj në gazeta “Si” shkroi se ky projekt është si të pjekësh qiqra në hell. Shkrimi ngjalli komente pro dhe kundër, ndaj gazeta “Si” e gjykoi vlerë të mësojë përmes një inteviste me zonjën Beqiraj, më shume detaje se pse Ballkani pa kufij është gati i pamundur të kryhet dhe çfarë kostosh lindin përveç përftimeve që shpjegohen nga pala që e mbron këtë projekt.

Ju e quani Bashkimin Doganor të ballkanit “qiqra në hell”. Për të kuptuar pak më në detaje përse  keni dhënë këtë përcaktim do të dëshironim ta fillonim këtë intervistë me pyetjen e thjeshtë cfarë është bashkimi doganor?

Shpjeguar thjeshtësisht një bashkim doganor nënkupton dy gjëra. E para vendet që dakortësojnë të jenë pjesë e një bashkim doganor do të duhet të zbatojnë të njëjtin rregjim dogonor dhe do të tregëtojnë pa tarifa doganore midis njëri tjetrit (nëse nuk ka produkte për të të cilat është dakortësuar  ndryshe) edhe e dyta, të gjitha vendet e bashkimit doganor janë të detyruara të përdorin regjim tarifor të përbashkët me çdo vend tjetër i cili nuk është pjesë e bashkimit  doganor.

Që prej vitit 1992 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qënë pjesë e marrëveshjes  për tregëti të lirë CEFTA . Nga ndryshon ajo nga bashkimi doganor?

CEFTA synote të liberalizonte gradualisht tregtinë në mallra dhe më pas në shërbime, por edhe në investime e punësim duke tentuar drejt tregut të përbashkët pa pasur nevojë një bashkim doganor. Në këtë mënyrë vendet ruanin pavarësinë në politik-bërjet tregtare apo edhe vendimarrjeve që lidheshin me lëvizjen e lirë të njerëzve me vendet jo anëtare të CEFTA. Tregu i përbashkët mundëson elemiminin e tarifave, kuotave, taksave në tregtinë midis vendeve, lejon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit, eleminon kërkesat për dokumentacione e autorizimie shtesë, pa pasur nevojë për një bashkim  doganor.

Ndërkohë që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor synonin integrimin në Bashkimin Europian i cili është edhe treg i përbashkët dhe union doganor u gjykua e udhës që me hartimin e CEFTA-s dhe më pas me Procesin e Berlinit për zhvillimin e shpejtë të rajonit është i nevojshëm një treg i përbashkët  duke lënë jashtë  bashkimin doganor si mundësi.

Ndërkohë kemi vetëm 3 vende të ballkanit që janë pro mini-shengenit , ndërkohë që 3 vende të tjera e kanë refuzuar përfshi këtu edhe Kosovën. Si e gjykoni vendimin e tre,  vendeve jo pjesmarrëse?

Tregëtia nuk është martesë por luftë. Thënë këtë do ta gjykoja një vendim të kujdësshëm ekonomik sidomos nga ana e ekonomisë më të vogël të rajonit Kosovës.

Problemi i parë është se vendet e rajonit janë në faza të ndyshme të Integrimit në BE, pra  aktualisht,  janë duke zbatuar regjime të ndryshme tregtare me këtë të fundit. Në rast të një bashkimi doganor rajonal, vendet e rajonit nuk mund të vazhdojnë të kenë marrëveshje të veçanta tregtare me BE -në, por duhet të kenë një marrëveshje  të përbashkët të tregtisë me të, të njëjtë për të gjithë vendet. Në këto kushte do të ishte “një ëndërr me sy hapur” mundësia për të negociuar një marrëveshje e cila do t'i përshtatej të gjitha vendeve të rajonit.

Por përtej marrëdhënieve me BE-në, një bashkim doganor, imponon një regjim të përbashkët tarifor me çdo vend tjetër të botës. Nëse deri tani vendet kanë qenë në gjendje të bëjnë politikat e tyre tregtare me vende të ndyshme, në rast të bashkimit doganor marrëveshjet ekzistuese ose do të gjithëpranohen ose do të duhen të anullohen.

Për shembull,  jo të gjitha vendet e ballkanit perëndimor janë anëtare të OBT -së (Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia nuk janë). Apo, Serbia ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. A do të jetë e gatshme Shqipëria apo Maqedonia të braktisë regjimin tarifor aktual që kanë me Rusinë edhe të rivendosin sërsisht atë për t’u  antarësuar në BE? Përveç kësaj, Serbia është e interesuar për një marrëveshje me Bashkimin Doganor Euroaziatik. A ka Shqipëria apo ndonjë vend tjetër të njëjtin interes? A është e gatshme Shqipëria, Maqedonia të heqë dorë nga OBT ? Përtej gjeopolitikës duhet peshuar mirë  humbjet dhe përfitimet ekonomike përpara se të implementojnë bashkimin doganor.

Së dyti, ekziston problemi i regjimeve të kursit të këmbimit dhe politikës monetare. Dy vende në rajon Serbia dhe Shqipëria kanë regjime fleksibël të kursit të këmbimit dhe në të kaluarën janë mbështetur masivisht në zhvlerësimin e monedhës vendase për balancimin e ekuilibrave e tyre të jashtëm. Vendet e tjera kanë regjime fikse të kursit të këmbimit ose përdorin euron sic është rasti i Kosovës. Vështirësia në harmonizimin e këtyre regjimeve krijon pengesë të madhe si për bashkimin doganor ashtu  dhe për tregun e përbashët.

Së treti një bashkim doganor do të kërkonte dakortësimin e modaliteteve për shpërndarjen e të ardhurave doganore, ku madhësia ekonomike e vendeve është përcaktuese në këtë shpërndarje. Këto modalitete janë më të lehta të dakortësohen  kur në vendet e Bashkimit Europian, doganat më shumë sesa mbledhjen e të ardhurave kanë prioritiet sigurinë. Thënë këtë, po të kemi parasysh madhësinë e vendit dhe të ekonomisë së Kosovës, kjo e fundit do të do të ishte në disavantazh në rast të një bashkimi doganor rajonal . Po ashtu varësia me rreth 43 % e buxhetit të shtetit nga të ardhurat doganore, e bën bashkimin doganor jo atraktiv për Kosovën. Shqipëria po ashtu nuk bën përjashtim nga ky problem.

Vuçiç, Zaev dhe Rama në forumin e Shkupit 29 korrik 2021

Cili vend do të përfitonte nga bashkimi doganor?

Ekonomitë më të mëdha mëtojnë tregti të lirë, ekonomitë e vogla kërkojnë tregti të drejtë. Bashkimi doganor rajonal  padyshim do të favorizonte ekonominë më të madhe të rajonit në kurriz të ekonomive më të vogla, sidomos të Kosovës e cila ka mungesë të theksuar të kapaciteteve eksportuese si një parakusht i domosdoshëm ekonomik, për të përfituar nga Bashkimi doganor. Nga tregtia pa tarifa midis vendeve të rajonit e mundësuar nga CEFTA gjithë vendet Ballkanit Përëndimor përjashto Serbinë kanë pasur deficit tregtar ( importet nga rajoni janë më të larta se eksportet në rajon). I vetmi vend me suficit tregtar ku eksportet në rajon tejkalojnë importet në rajon është Serbia. Ajo kryen rreth 10% të tregëtisë së saj të jashtme me vendet e rajonit . 

Bashkimi doganor po ashtu heq rregullat komplekse të origjinës së  mallrave duke lehtësuar  më tej kapacitet e eksportuesit kryesor në rajon . Sipas dekalrimit të z. Vuçiç në Samitin e Sarajevës në 2017 Serbia humbiste 7% të të ardhurave nga tregëtia e jashtme vetëm prej rregullave të orgjinës .

Përtej retorikës nacionaliste faktet ekonomike tregojnë që Serbia është përfituesi më i madh dhe i menjëhershëm i bashkimit doganor.

Cila do të ishte rruga me e mirë për vendet e rajonit?

Gjithëkush që ka lexuar këto rreshta, ndoshta ca të gjatë, e kupton që vendet e rajonit për shkak të madhësisë dhe strukturës së tyre ekonomike, pontencialit eksportues edhe stadit të zhvillimit rruga më e drejtë do të ishte synimi drejt një tregu të përbashkët rajonal, pa bashkim doganor rajonal. Çdo akrobaci jashtë kësaj rruge, sado e vështirë të duket kjo e fundit, do të jetë me pasoja politike dhe  nuk do të vlejë ekonomikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë