Futboll

E rrëzoi , tani e nxjerr në shitje Vllazninë

Një vit më parë, Vllaznia i shpëtoi rënies nga kategoria vetëm në javën e fundit të kampionatit, ndërkohë që duhet kthyer disa vite pas në kohë për ta parë skuadrën shkodrane në nivelet e larta të futbollit shqiptar.

Pra, rënia e Vllaznisë një kategori më poshtë, preku mijëra tifozë shkodranë, por nuk ishte i papritur për ta. Rrëzimi i skuadrës ishte epilogu i një krize që zgjaste qëkur aksionet e klubit u rimorën nga Bashkia e Shkodrës.

Shtatë vite më parë, Bashkia mori pronësinë e klubit. Në vitet që pasuan, skuadra endej herë mes mesit të tabelës, herë me gjuhën nëpër dhëmbë siguronte mbijetesën. Me të drejtë, tifozët e mësuar me Vllazninë që në mos kampionatin, të paktën pretendonte për pjesëmarrje në kupat e Europës, kërkonin nga bashkia shitjen e aksioneve tek investitorë që mund të përmirësonin gjendjen e klubit.

Ata nuk mungonin, por si interesimi i tyre, ashtu edhe kërkesat e tifozëve ranë në vesh të shurdhër. Bashkia vazhdoi të mbajë për vetë Vllazninë, e po ashtu edhe futbollin shkodran…deri kur “hataja” ndodhi.

Së fundmi, Bashkia e Shkodrës ka nxjerrë në shitje aksionet e klubit. Ankandi nis me çmimin dysheme prej 507 milionë lekësh.

Vetë kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi premton se procedura e shitjes së aksioneve do të jetë tërësisht transparente dhe do të shitet vetëm te blerës seriozë, që plotësojnë kriteret.

Ky lajm për tifozët është një gjysmëngushëllim, megjithëse mbërrin vonë. Por, pyetjet që mbeten pas janë ato tradicionalet në futbollin shqiptar. Përse bashkia nuk e shiti më herët klubin? A u keqmenaxhuan fondet për të? Si mbërriti një skuadër me kaq histori që të degdisej në kategoritë inferiore pas 57 vitesh dhe ç’është më kryesorja, a u përdor fanela e Vllaznisë për politikë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë