Politike

Basha:  S’mund të cënohen interesat kombëtare për një politikan në hall

 Gjatë një takimi të zhvilluar në turin e tij nepër Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u pyet për marrëveshjen që kryeministri Rama firmosi me kryeministren e Italisë për dy kampe refugjatësh.

“Problemi është që shqiptarët po i përzë dhe po sjell emigrant të paligjshëm nga Afrika, kjo është e papranueshme. Detyra e parë është të vij të bëjë transparencën se kush i ka dhënë mandat të negociojë, me cilindo vend.

Italia është një vend mik, aleat, partner, padiskutim, por këto janë interesa kombëtare, s’mundesh nga njëra anë të përzësh shqiptarët, nga ana tjetër të hapësh kufirin për emigrant të paligjshëm. Mbi çfarë baze? Me çfarë kushtesh? Parimi i parë i qeverisjes është transparenca. Përmes transparencës mund të garantojmë që marrëveshje të tilla nuk bien ndesh me interesin e shqiptarëve, nuk shkelin, nuk shkelmojnë mbi interesin publik për interesat personale të një politikani në hall, kushdo qoftë ky edhe kryeministri.

Këto janë kufijtë, kjo është korniza e një qeverisjeje të përgjegjshme. Dhe vendi ka nevojë urgjente për një qeverisje të përgjegjshme. Sapo të kthehet, do të përballet me interpelancë në Kuvend. Kemi çuar kërkesën, të vij të japë llogari ç’është kjo marrëveshje. As nuk u diskutua, as nuk u shtrua për një debat publik. Si mundet që një vendi ku po i largohet rinia, që po i largohet ai korpus njerëzish që janë profesionistët e këtij vendi, po largohen për shkak të keqqeverisjes, përzë shqiptarët dhe hap kufirin për emigrantët e paligjshëm! Është e papranueshme’, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë