Politike

Basha: Rama në panik! Po tërhiqet si akrepi

Ecjen nëpër rrugët e qytetit të Korçës në shoqërinë e ish-deputetëve demokratë të këtij qarku dhe drejtuesve vendorë të partisë, Lulzim Basha e shfrytëzoi për t’u takuar me biznesin e vogël e qytetarë, të cilët përballë kameras i paraqitën një situatë të zymtë ekonomike. Ankesave që mori, kreu i PD-së u dha si zgjidhje programin e Partisë Demokratike.

Ai foli për thjeshtim të sistemit fiskal, për ulje taksash, shkatërrimin e monopoleve dhe vendime konkrete, që premtoi se do t’i marrë menjëherë sapo të vijë në pushtet. Një prej tyre zotohet se do të jetë vendosja e pullës fiskale për biznesin e vogël, që iu ankua për gjoba të padrejta nga organet tatimore.

“Do të vendosim një sistem të thjeshtë taksash. Do të paguani vetëm 0.5 për qind të xhiros vjetore. Bizneset me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra do të hiqen nga skema e TVSH. Bizneset e vogla do të pajisen me një pullë fiskale, që do të ndalojë hyrjen e inspektorëve. Nëse ti ke pullën dhe në dyqan hyn një inspektor, ai inspektor shkon për ndjekje penale. Duhet ta kuptojmë që gjithë Shqipëria vidhet për t’u pasurua një njeri”, tha Basha.

Por, që të testohet nëse do t’i mbajë këto premtime apo jo, Lulzim Bashës i duhet që fillimisht të largojë Edi Ramën dhe më pas të marrë pushtetin. Si hap të radhës në këtë mision sheh protestën e 16 marsit. Ai ftoi korçarët që të mos mungojnë në Tiranë.

“Kjo duhet të marrë fund. Prandaj, më 16 mars kemi një takim me historinë. Na thërret Shqipëria si gjithë Europa. Është në dorën tuaj dhe ju duhet të vendosni dhe hapi i parë është të na bashkoheni në protestën kombëtare të 16 marsit”, u shpreh ai.

Si shëmbëlltyrë të keqqeverisjes së Edi Ramës në Korçë solli projektin për ndërtimin e një termocentrali. Basha e krahasoi projektin e TEC-it me atë të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë dhe akuzon se e vetmja gjë që do t’i japë Korçës është ndotja.

“Ai TEC nuk bëhet për Shqipërinë. Ai TEC ndërtohet që energjia të çohet në Greqi. Qytete të tjera në vendin fqinj e kanë refuzuar. Edi Rama, me ata që qëndrojnë pas TEC-it kanë bërë këtë aferë. Tani që ëshë ndërgjegjësuar edhe Korça se çfarë po ndodh, kanë filluar që të tërhiqen”, tha kreu i PD-së.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1247674435396810/

Rama vetë thotë se nuk ka bërë hapa pas dhe as ka ndërmend që të bëjë. Basha mendon të kundërtën.

“E ka zënë pak tmerri, sepse e ka parë që populli po ngrihet dhe ka filluar të hedhë hapa pas si akrepi. Kjo është aferë e Edi Ramës, ndaj unë ju ftoj që të ngriheni në këmbë. Nëse do TEC Greqia, apo Maqedonia le ta bëjnë në tokën e tyre, jo të helmojnë korçarët. Rruga më e mirë që të anulojmë këtë projekt është që të largohet Edi Rama”, deklaroi Basha.

Kërkesat që mori nga qytetarët ishin të shumta. Njëri prej tyre i kërkoi “dekomunistizimin”, ndërsa takimin me një të përndjekur, Basha e shfrytëzoi për t’i thënë se PD ishte borxhlie e dyfishtë ndaj tyre.

“Kemi një borxh të pashlyer ndaj jush, moral dhe financiar, por zgjidhje nga këta mos prit, sepse këta janë persekutorët tuaj dhe të fëmijëve tuaj”, i tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë