Politike

Basha pas shkarkimit të Nokës: Po pastrojmë bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes sonë

Nga shkallët e selisë së PD-së, pas takimit me ministren Britanike për Evropën, kryetari i PD-së, Lulzim Basha iu përgjigj interesit të madh të gazetarëve lidhur me vendimin e një natë më parë për të shkarkuar Flamur Nokën nga detyra e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe paralajmëruar se do ta përjashtojë edhe nga grupi.     

“Z. Noka i kam komunikuar shkarkimin e tij nga detyra si nën/kryetar i Komisionit të Sigurisë. Nuk e kam përjashtuar, por e kam paralajmëruar.

Sepse nuk mundet që PD, që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi.

Nuk mund të mbetemi peng i axhendave personale që kërkojnë ta kthejnë PD-në në bunker. Shtrëmbërime të tilla nuk do tolerohen”, tha Basha, i cili më pas u pyet konkretisht se çfarë kish nënkuptuar me “llumin” gjatë qeverisjes së PD-së në debat e sipër në mbledhjen e kryesisë së grupit nga ku plasi edhe konflikti mes tij dhe Nokës.  

“Kush është llumi? Ua them unë. Fraza të dala indirekt, apo edhe këtu nga kjo foltore, që janë sajesa dhe shpifje i shërbejnë Edi Ramës, bëhen për të demoralizuar demokratët, ndërkohë që beteja jonë është që të mos shkelmojmë mbi interesat e demokratëve për interesat e askujt. Kjo është arsyeja pse kam marrë një vendim në datën 9 shtator, në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrat e kreut të PD. Për të shmangur çdo tollovitje dhe mundësi përçarje që i shërben Edi Ramës, të cilës i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij. Regjimi përbëhet edhe nga oligarkë, edhe nga pronarë mediash, edhe nga anëtar të krimit të organizuar. Këta janë llumi i tranzicionit, këta pasurohen, të tjerët vetëm varfërohen”.

A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së PD?

“Padyshim që po, një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dalë ta pastrojmë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës. Që paratë e vëna në mënyrë korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne t’i përdorim për të shantazhuar demokratët, në një rrugë pa krye dhe të akuzojmë kreun e PD se po u bën presion demokratëve kjo është e patolerueshme. Ndaj një gjë ta keni të qartë, PD është shpresa e vetme e këtij vendi. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon që do ta kthejë PD-në në bunker për interesa personale, se do të ndryshojë orientimin tonë euroatlantik, apo që do të thyejë vendosmërinë time për tu përballur me korrupsionin dhe krimin, dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes sonë. Një pjesë i kemi pastruar, por një pjesë kanë mbetur, demokratët e dinë fare mirë kush janë, ku janë, dhe  çfarë pazaresh bëjnë edhe sot me Edi Ramën. Nuk do lejoj askënd ti bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve”, tha Basha me tone nervozizmi para gazetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë