Futboll

Barazim dramatik, Milan dhe Lacio ndahen në “paqe”

Një gol në minutën e fundit i Koreas i ka mohuar festën Milanit në javën e 13-të të Serie A. Kuqezinjtë e Gatuzos e morën të parët avantazhin e ndeshjes, por kur të gjithë në kampin milanez po bëheshin gati të festonin, portugezi Korea ka barazuar shifrat në 1-1. Ky rezultat nuk i bën punë asnjë prej ekipeve që bashkë me Romën do të luftojnë për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Rastet e para të rrezikshme i ka Milan që guxonte më shumë. Hakan Çalanoglu do të ishte rreziku kryesor për portën e Tomas Strakoshës, por pa mundur të shkojë drejt golit. Nga ana tjetër lacialët kundërpërgjigjen me të zakonshmin, Imobile. Ky i fundit do e gjente rrugën e rrjetës, por që u anulua nga arbitri për pozicion jashtë loje.

Me pjesën e parë që u mbyll me rrjetat e paprekura, pjesa e dyta do të ishte akoma dhe më intensive. Këtë herë është Lacio ajo që guxon më shumë, duke patur edhe mbështetjen e publikut nga pas. Lacio rriti presionin, por golin do e gjente Milan. Në minutën e 78’, Kesi nuk shpërdoron asistin e Kalabria dhe i çon shifrat në 1-0. Por ky gol nuk e demoralizoi Lacio, që kërkoi të mos dilte e humbur nga kjo përballje vendimtare në shtëpi. Në minutën e fundit, kur të gjithë menduan se sfida u mbyll 1-0, Korea ka nxjerrë një gol “nga hiçi”, duke i çuar shifrat në 1-1.

Me këtë rezultat Milan mbetet në vendin e 5-të me 22 pikë, ndërsa Laçio në të katërtin me 23 pikë.

Në ndeshjet e tjera të Seria të luajtura këtë të diele, Parma ka mundur Sasuolon 2-1. Bolonja ka barazuar me Fiorentinën, ndërsa Empoli ka mposhtur Atalantën. Hap fals ka hedhur Napoli këtë javë, duke u ndalur në barazim në shtëpi me Kievon e vendit të fundit. Skuadra e Ançelotit është shkëputur nga Inter me vetem 1 pike, që fitoi 3-0 të shtunën me Frosinonen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë