Mendim

Bankat të përgatiten!

Nga Elvin Meka* - Orët e para të 26 nëntorit dhe momentet dramatike që përjetuam gjatë tërmetit, më i forti i ndodhur gjatë një intervali 40-vjeçar, që nga viti 1979, na kujtuan se tërmeti i 21 shtatorit ishte vetëm preludi i një periudhe krejt të ndryshme dhe komplekse, sociale dhe ekonomike, në të cilën sapo kishim hyrë. Tërmeti mori jetën e shumë njerëzve dhe prodhoi një faturë gjigande dëmi financiar për qeverinë, shoqëritë e sigurimeve, bizneset dhe individët.

Sektori bankar në Shqipëri u pozicionua në rreshtin e parë të mbështetjes për të gjithë të prekurit nga tërmeti, nëpërmjet donacioneve monetare dhe materiale, qofshin këto nga secila bankë, por dhe nëpërmjet AAB-së, si dhe duke marrë vendimet e duhura për të lehtësuar transfertat e fondeve dhe akomodimin e kërkesave nga huamarrësit e ndryshëm, për ristrukturim të pagesave të kësteve të huas. Duhet të theksohet se, bankat në Shqipëri përjetuan pasoja të kufizuara, në drejtim të dëmeve financiare të shkaktuara nga tërmeti, falë mbulimit të mjaftueshëm me sigurim të kredive të dhëna dhe kolateraleve përkatëse të lidhura me to. Fatmirësisht, bankat patën dëme minimale në veprimtarinë e tyre operacionale, falë planeve efikase të vazhdimësisë së biznesit dhe reagimit të menjëhershëm ndaj situatës në vend.

Nga ana tjetër, industria e sigurimeve mori goditjen e jetës nga të dy tërmetet, duke u përballur me një faturë dëmi të konsiderueshme, si dhe me një mal burokracish e dokumentesh, siç kurrë më parë. Për fat të keq, por në të njëjtën kohë dhe pozitivisht, tërmet/i/et zbuluan boshllëqet dhe mangësitë që ekzistonin brenda sistemit financiar në përgjithësi dhe industrisë së sigurimeve në veçanti, lidhur me konfigurimin e kontratave të sigurimeve, e në një plan më të gjerë, nivelin e edukimit financiar që disponon publiku i gjerë, për produktet e sigurimeve. Situata e pas tërmetit na mësoi se industria e sigurimeve dhe sektori bankar duhet (e në një farë mënyrë do të jenë të detyruara) të punojnë së bashku, për të zhvilluar konceptin dhe praktikën e bankë-sigurimeve (bancassurance), si pjesë e veprimtarisë së përditshme të industrisë bankare. Gjithashtu, ajo shpalosi nivelin e ulët të edukimit financiar të publikut të gjerë rreth industrisë së sigurimeve, rolit dhe produkteve të saj, si dhe nevojën urgjente për ndërhyrje në drejtim të sigurimit të një edukimi financiar efikas dhe të dobishëm për të gjithë.

Për më tepër, zhvillimet e fundit dramatike, të lidhura me pandeminë Covid-19 dhe ndalimin aktual të ekonomisë thjesht i janë shtuar sfidave të mësipërme, me të cilat duhet të përballen, sot e në vijim, sektori bankar dhe industria e sigurimeve. Situata komplekse që po mbizotëron do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në veprimtarinë bankare, madje deri në nivelin e nevojës për vendimmarrje të rëndësishme strategjike. Sidoqoftë, ajo çka duhet bërë tani për tani është të ushqejmë besim brenda vetes, brenda ngrehinës institucionale bankare në vend, brenda profesionalizmit dhe kurajës tonë profesionale, duke mposhtur frikën dhe pasigurinë, ashtu siç ka thënë dhe Presidenti Amerikan Franklin D. Roosevelt në fjalimin e tij inaugurues: "… e vetmja gjë nga të cilën duhet të kemi frikë është vetë frika ..." Pra, është koha që bankat t'i kthejnë kërcënimet në mundësi dhe dobësitë në fuqi; është koha për të punuar për strategjitë S-O, brenda parimit të funksionimit të Analizës së njohur SWOT!

*Elvin Meka është ekspert i ekonomisë, aktualisht Dekan dhe Kreu i Departamentit të Fakultetit të Ekonomisë në UET


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë