Para

Banka e Shqipërisë sugjeron paketa të tjera mbështetëse me përkeqësimin e pandemisë

Qeveria të mos zhvendosë kostot tek bilancet e bankave

Në përballje edhe me goditje të tjera shtesë, Banka e Shqipërisë sugjeron se përparësi duhet të ketë ofrimi i lehtësive të mëtejshme për ekonominë.

Mesazhin e ka shprehur zëvendës guvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi në Konferencën Vjetore të Bankës Qendrore të zhvilluar virtualisht.

“Megjithatë, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm në kombinimin e drejtë të politikave, në mënyrë të tillë që, kostot potenciale afatgjata të mos tejkalojnë përfitimet afatshkurtra.”- u shpreh Minxhozi.

Sipas saj, në këtë kontekst, politika fiskale duhet të ofrojë mbështetje shtesë, në varësi të hapësirës fiskale ekzistuese. Deri më tani, u shpreh ZV/guvernatorja Minxhozi, sektori publik në ekonomitë e zhvilluara ka nivel të ulët të kufizimeve financuese, pjesërisht falë injektimeve masive të likuiditetit nga bankat qendrore.

“E njëjta gjë duket se është e vërtetë dhe për ekonomitë me tregje në zhvillim, të tilla si Shqipëria, e cila vijon të ketë akses në treg si dhe kosto financiare relativisht të ulëta. Megjithatë, autoritetet fiskale të ekonomive të tregjeve në zhvillim duhet të jenë të kujdesshme lidhur me nevojën për të ruajtur besueshmërinë e tregjeve në qëndrueshmërinë e financave të tyre. Ndërmjetësuesit financiarë - të tillë si bankat - gjithashtu po mbajnë peshën e duhur të kësaj barre. Ato në mënyrë natyrale do të mund të absorbojnë një pjesë të madhe të kostove shtesë financiare në rast goditjesh të mëtejshme. Megjithatë, politikat financiare dhe makroprudenciale duhet të shmangin  tundimin për të zhvendosur një pjesë gjithnjë në rritje të kostos në bilancet e bankave. Stabiliteti financiar dhe një sektor bankar i qëndrueshëm janë parësorë për një rritje ekonomike afatgjatë.”- tha Minxhozi.

Gjithashtu, vijoi ajo, politika monetare duhet të ofrojë stimuj të tjerë shtesë.

Banka e Shqipërisë mendon se tregjet financiare likuide nuk janë kura për krizën, por mbeten parakusht i nevojshëm për çdo zgjidhje.

“Instrumentet jokonvencionale shpejt po bëhen pjesë e serisë së instrumenteve të politikës së ndjekur nga pjesa më të madhe e bankave qendrore. Bankat qendrore të ekonomive në zhvillim – përfshirë Shqipërinë - gjithashtu po studiojnë mundësinë e përdorimit të instrumenteve jokonvencionale.  Megjithatë, kjo nuk është pa rreziqe dhe nuk mund të zbatohet me lehtësi në ekonomitë në zhvillim. Në veçanti, mendojmë se bankat qendrore të vendeve në zhvillim duhet të shmangin rritjen e profilit të rrezikut të bilanceve të tyre dhe duhet të përpiqen të ruajnë besueshmërinë e kuadrit të politikës dhe të atij të pavarësisë së tyre.”- tha Minxhozi.

Banka e Shqipërisë parashikon që pandemia mund të çojë në një hendek më të madh për sa i përket pabarazisë, si ndër vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim, ashtu dhe brenda një ekonomie. Një pasojë ekonomike e kësaj pandemie është se ajo mund të ngadalësojë procesin e përshpejtimit të ekonomive në zhvillim në krahasim me ato të zhvilluara. Një tjetër mund të jetë pabarazia brenda një ekonomie, meqenëse papunësia godet më shumë popullsinë në moshë të re dhe atë me nivel arsimor më të ulët.

Pandemia mund “të ndezë” një zhvendosje të përhershme në balancën punë-jetë.  Puna në distancë mund të bëhet një alternativë e përhershme në të ardhmen, ashtu siç mund ta kenë parashikuar shumë kompani globale tashmë.

Një çështje tjetër është ndikimi i mundshëm i pandemisë në krizën aktuale të klimës në periudhën afatgjatë.  Përveç ndikimit afatshkurtër të mbylljes së përgjithshme në çështjen e klimës, një këndvështrim optimist sipas BSH-së,  lidhet me faktin se mbyllja totale mund të sjellë një kalim drejt një ekonomie më të pastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë