Lajme

Banka e Shqipërisë shtrëngon masat për biznesin në raport me bankat

Banka e Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” duke shtrënguar masat për biznesin që ka marrëdhënie me bankën.

Referuar rregullores së mëparshme, neni 6 “Hapja e një llogarie bankare, edhe në rastet kur ajo do të përdoret për kryerjen e transaksioneve në rrugë elektronike (e-banking account), kryhet vetëm me praninë fizike të klientit”, në rregulloren e re ajo zëvendësohet me fjalinë “Për zbatimin e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientëve, subjektet duhet të kërkojnë praninë fizike të klientëve dhe të përfaqësuesve të tyre, para se të vendosin një marrëdhënie biznesi.”

Pika shtatë e nenit 6 ndryshon; “Për zbatimin e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientëve, subjektet duhet të kërkojnë praninë fizike të klientëve dhe të përfaqësuesve të tyre, para se të vendosin një marrëdhënie biznesi. Në rastin e përfaqësimit të klientit nga një person i tretë nëpërmjet një akti përfaqësimi, subjektet verifikojnë nëse ky person është i autorizuar për të përfaqësuar klientin dhe për të kryer veprimet e kërkuara, kërkojnë të dhëna për identifikimin e klientit dhe të përfaqësuesit të tij dhe i verifikojnë këto të dhëna, si dhe mbajnë në dosjen e klientit të gjithë dokumentacionin e paraqitur prej personit të tretë, duke përfshirë dhe origjinalin ose kopjen e noterizuar të aktit të përfaqësimit”.

Në rregulloren e ndryshuar Banka e Shqipërisë ka parashikuar masa mbikëqyrëse dhe ndëshkimore ndaj subjekteve të kësaj rregulloreje, siç përcaktohet në bazën ligjore në fuqi, e cila rregullon veprimtarinë e këtyre subjekteve, nëse konstaton se këto subjekte nuk zbatojnë kuadrin ligjor dhe rregullativ në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Banka e Shqipërisë, sipas rregullores, kur e gjykon të arsyeshme, mund të pezullojë një ose disa veprimtari, apo të revokojë licencën e subjektit, në rastet kur kërkohet nga autoriteti përgjegjës, sipas ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë