Portofol

Banka e Shqipërisë ndërhyn në treg, për të shpëtuar euron

Menjëherë pas diskutimeve ditën e djeshme në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me zhvlerësimin e euros, reagon Banka e Shqipërisë.

 

Guvernatori Genti Sejko ka deklaruar se BSH do të blerjë euro në tregun e brendshëm valutor sipas  ligjit  dhe rregullave në fuqi.

 

“Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhefrenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve.Në këtë mënyrë, operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të.”- u shpreh Guvernatori Sejko gjatë konferencës për shtyp.

 

Ai theksoi se  kursi i këmbimit në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë një kursi lirë, i cili përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun valutor.

 

Sejko e konsideron ndërhyrjen e BSh-së në treg në këtë rast si të veçantë, i ndërmarrë në rrethanat specifike të nevojës për reagim të politikës monetare dhe të ngushtimit të hapësirës së veprimit të instrumenteve të saj tradicionalë.

 

Këshilli Mbikqyrës gjithashtu ka vendosur të ulë edhe normën bazë të interesit në 1%.

 

Rënia e euros

 

Ditën e djeshme euro ka njohur një rënie historike që prej vitit 2009 duke arritur në 124,17 sipas kusrit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

 

Institucioni Qëndror Financiar ka renditur disa arsye që kanë bërë monedhën e përbashkët europiane të zhvlerësohet në këto muaj.

 

Sipas BSH, rënia është shkaktuar nga informacioni për rritje të ofertës valutore, kryesisht në përgjigje të konvertimit të pritur tëkapitalit nga disa banka të sistemit, të disbursimit të një kredie në valutë në favor të një kompanie publike, si dhe të pritjeve për një sezon të mirë turistik. Si rrjedhojë, pritjet kanë sjellë njëkohësisht rritje të ofertës dhe reduktim të kërkesës për valutë.

 

 

Tregu valutor i brendshëm ka njohur sot një surprizë duke shënuar një rritje prej 0,25 % të euros pas disa javësh.

 

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro është këmbyer sot me 124,42 lek.

 

Rritja e euros mendohet të ketë ndodhur nga sinjalet që Banka e Shqipërisë ka dhënë për blerje valute me qëllim forcimin e monedhës së përbashkët europiane.

 

Banka e Shqipërisë ka një kalendar të paracaktuar vjetor, në bazë të së cilit blen valutë, me synim plotësimin e nevojave të veta për rritjen e rezervës valutore. Përgjithësisht planifikohen 6-7 ndërhyrje në vit, të shtrira në kohë, ku banka blen midis 3 dhe 8 milionë euro, por rreth 50 milionë euro në vit.

 

Por BSH nuk e ka bërë ende me dije se sa është shuma e valutës që do të tërheqë nga tregu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë