Menaxhim

Balluku, thirrje BE-së: Financoni tranzicionin energjetik të Shqipërisë dhe Ballkanit. Është çështje win-win

Nga Gazeta ‘SI’ - Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë Belinda Balluku,  i ka kërkuar sot Bashkimit Europian të përshpejtojë financimin për sektorin energjetik në Shqipëri.

Balluku, si folëse në konferencën e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor,  tha se siguria energjetike e një vendi është çështje me rëndësi për të gjithë rajonin dhe Europën.

“Ne kemi nevojë për ekspertizën tuaj, për dijet tuaja. Por kemi nevojë dhe për mbështetjen tuaj financiare. Ne i kërkojmë BE-së një përgjigje të shpejtë për tranzicionin energjetik. Ashtu si ajo na kërkon neve përgjigje të shpejta për politikat e tyre, ashtu kërkojmë edhe ne. Kjo është çështje win-win” , u shpreh ministrja.

Ajo po ashtu tregoi se brenda këtij viti do të vazhdojnë diskutimet për kuotimin e karbonit, që duhet të hyjë në fuqi në vitin 2026.

Duke e quajtur një sfidë të madhe tranzicionin energjetik, Balluku bëri thirrje për përdorim të makinave elektrike ose të paktën makinave të prodhuara vonë.

“Kjo është sfidë e vështirë, si në aspektin e mjedisit dhe atë social. Energjia është çështje e sigurisë europiane dhe do një vëmendje të veçantë. Nuk është çështje që duhet të trajtohet në mënyrë sporadike, se edhe rezultatet duhet të jenë të tillë”, u shpreh ministrja e Energjisë gjatë konferencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë