Politike

‘Balluku’/ Braho: Mungesa e masës dëmton hetimin, për mua deputeti s’duhet të ketë imunitet

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i SPAK, Klodian Braho ka komentuar çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në Komisionin e Ligjeve Braho tha se imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nga ana tjetër nuk pengon zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura nga ana e organit të akuzës.

Ai theksoi se mungesa e masës së sigurimit mund ta vështirësojë apo edhe ta dëmtojë një hetim të caktuar, por prokuroria është e detyruar të veprojë brenda kuadrit aktual ligjor dhe kushtetues.

“Për çështjen konkrete, qëndrimi i prokurorisë është publik. Sa i takon situatës kushtetuese dhe ligjore, imuniteti ndalon vendosjen e masës së sigurimit, por nuk e ndalon prokurorinë që të zhvillojë hetimet  të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase mund ta vështirësojë një hetim të caktuar, edhe mund ta dëmtojë, por ne nuk jemi institucioni që miratojmë ligje. Ne kemi këtë kuadër kushtetues ligjor dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri kushtetues ligjor”, tha Braho.

Ai shtoi se, nëse do të kishte rol në ndryshimet ligjore, personalisht është i mendimit që imuniteti nuk duhet të ekzistojë fare.

“Të ishim ne pala që miratonim ndryshimet kushtetuese ligjore  personalisht jam i mendimit se nuk duhet të ketë imunitet fare. Por ky është kuadri ligjor dhe kushtetues. Prokuroria do angazhohet me ato mjete ligjore që ka në kompetencë të saj”, tha në fjalën e tij Braho.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi mundësinë e një kërkese të re për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, kreu i SPAK, Klodian Braho deklaroi se çështja mbetet ende në hetim dhe nuk mund të parashpallen vendimmarrjet.

“Nuk do të kishte çështje nëse nuk do të kishte shkelje të ligjit,” u shpreh Braho, duke theksuar se prokuroria e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe ka vijuar hetimet edhe pas mospranimit të një kërkese të mëparshme.

Ai theksoi gjithashtu se çdo vendim i ardhshëm do të bazohet në ligj dhe prova që do të sigurohen gjatë hetimit, duke marrë parasysh edhe arsyetimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së mëparshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë