Drejtësia

Braho te ‘Ligjet’: Korrupsioni mbetet fenomen shqetësues në vend

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho, ka raportuar në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po zhvillohet në një terren gjithnjë e më kompleks.

Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë vitit 2025 SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 577 janë mbartur nga viti 2024 dhe 294 janë regjistruar si çështje të reja.

Krahasuar me një vit më parë, volumi i hetimeve është rritur me 4.9%, ndërsa janë përfunduar 216 procedime, duke ruajtur të njëjtin ritëm si në vitin paraardhës.

Një nga zhvillimet kryesore të theksuara nga Braho është rritja e hetimeve të nisura kryesisht nga vetë institucioni.

Nga 294 procedime të reja, 209 janë regjistruar me iniciativën e SPAK, çka sipas tij tregon një qasje më proaktive dhe të mbështetur në analizë financiare dhe hetime të thelluara, përtej referimeve nga institucione të tjera apo kallëzimeve.

Në vlerësimin e tij, korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues që përfshin funksionarë vendorë, punonjës të administratës, prokurorë, gjyqtarë dhe efektivë policie. Sipas të dhënave të raportuara, çështjet e reja për korrupsion janë rritur me 18%, ndërsa ato të përfunduara me 12%.

Sa i përket krimit të organizuar, drejtuesi i SPAK deklaroi se grupet kriminale po operojnë me struktura gjithnjë e më të sofistikuara, duke përdorur ndarje rolesh, komunikime të enkriptuara, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme.

Ai shtoi se Shqipëria vijon të përdoret si territor tranziti, koordinimi dhe pastrimi të produkteve kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë