Rend dhe Ligj

Balla shkon në Spitalin e Vlorës në mbështetje të 26-vjeçares: Do të merret në mbrojtje

Gazeta Si - Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka vizituar në Spitalin e Vlorës 26-vjeçaren, e cila u përdhunua disa ditë më parë nga katër djem, pasi më herët e kishin detyruar të përdorte lëndë narkotike.

Balla garantoi para mediave se e reja do të ketë mbështetje të plotë ligjore dhe do të bëhet një hetim i plotë.

“Dua të kujtoj këtu, që ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo vajzë, çdo motër në çdo formë dhune me bazë gjinore apo dhune me bazë seksuale. Për vajzën, do të ofrojmë të gjithë mbështetjen e plotë ligjore, duke ofruar asistencë përmes instrumenteve që ka Ministria e Drejtësisë, - premtoi Balla. - Në momentin që kam ardhur, këtu jam informuar nga pjesa që i takon dhe Prokurorisë së Vlorë. Dua të bëhet një hetim i plotë dhe ju garantoj që çdo veprim me bazë gjinore do të ketë mbrojtje të plotë. Përkujdesja ime personale dhe nga kryetari i Bashkisë së Vlorës do të jetë gjithmonë për vajzën”, tha ministri.

Më herët, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, të akuzuar për nxitje dhe përdorim të drogës dhe më pas përdhunimin e 26 vjeçares.

Dy prej tyre, Oltjon Tahiri dhe Albi Ceno janë arrestuar, ndërsa në kërkim është shpallur Gentjano Mehmeti si edhe një shtetas tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë