Politike

Balla: Raporti për Metën edhe në Prokurori! Kushtetuesja do të konfirmojë shkarkimin

Socialistët thonë se Kuvendi do t’i dorëzojë Prokurorit të Përgjithshëm një kopje të raportit hetimor ndaj Presidentit Ilir Meta, pasi kanë vërejtur elementë të veprave penale të kryera prej tij.

“Ligji për komisionet hetimore thotë që kur vihen re elementë të veprës penale raporti i dërgohet Prokurorit të Përgjithshëm. Juridiksioni i kalon prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm ia kalon prokurorisë në juridiksionin e së cilës është vepra penale dhe personi që hetohet”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në një intervistë për News24.

Balla tha se në Gjykatën Kushtetuese ndërkohë kanë shkuar dy dokumente. I pari është raporti i Komisionit Hetimor dhe i dyti vendimi i shkarkimit.

“Kushtetuesja do të vlerësojë në rast se vendimi plotëson kriteret dhe e dyta në thelbin e çështjes nëse shkeljet janë të rënda ose jo”, vijoi Balla.

Për kreun e grupit parlamentar socialist nuk ka asnjë dilemë që Kushtetuesja do të shprehet pro vendimit të Kuvendit.

“Duket qartë që jemi në një rrugë të shtruar të konfirmimit të shkarkimit të Presidentit, nisur nga opinioni i Venecias”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë