Politike

Balla: Protestat janë infiltruar nga interesa të huaja! Koçeku të dorëzojë mandatin

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përsëriti qëndrimin e mazhorancës se protestat e zhvilluara para Kryeministrisë janë ndikuar nga interesa të huaja dhe aktorë që, sipas tij, nuk kanë lidhje me kauzën fillestare të protestuesve.

Duke folur pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Balla tha se respekton qytetarët që dolën në protestë për shqetësime që lidhen me respektimin e normave mjedisore, por shtoi se më pas protesta sipas tij është përdorur nga grupe me interesa të tjera.

Sipas tij, brenda protestës janë përfshirë elementë që në fillim kanë synuar ta fryjnë situatën për motive që lidhen me konkurrencën rajonale dhe me influencën e vendeve që ai i cilësoi si jo miqësore ndaj Shqipërisë.

“Respektoj ata që dolën në protestë për çështje që lidhen me dyshime dhe respektimin e normave mjedisore në një investim jetik për ekonominë e vendit. Por brenda kësaj proteste janë përfshirë elementë që nga dita e parë e frynë këtë tullumbace. Duket qartë që janë interesa që lidhen me konkurrencë rajonale dhe me influencën e vendeve jo miqësore me Shqipërinë. Ky tullumbace po shfryhet para syve të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se protesta ka humbur fokusin e saj fillestar dhe se personat që e nisën atë nuk janë më në qendër të organizimit.

“Në fillim kishte një shqetësim të përbashkët për ngjarjen e ndodhur në Zvërnec. Ajo dhunë ishte e papranueshme. Por sot atë çështje e kanë harruar edhe ata që u ngritën për të. Protesta u është vjedhur atyre që e nisën”, tha ai.

Balla komentoi edhe raportet me deputeten Marjana Koçeku, e cila ka shprehur qëndrime kritike ndaj Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar.

I pyetur nëse kishte marrë një njoftim zyrtar nga Koçeku për largimin nga grupi socialist, Balla tha se nuk dëshironte të ushqente më tej debatin publik, por i kërkoi deputetes të dorëzojë mandatin.

“Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur, duhet të dorëzojë mandatin. Personin në fjalë e ka zgjedhur Partia Socialiste. Nuk është një person i votuar drejtpërdrejt”, deklaroi ai.

Kreu i grupit socialist iu përgjigj edhe kritikave të Koçekut, e cila ka pretenduar se brenda grupit parlamentar nuk lejohet mendimi ndryshe.

“S’kam asnjë koment. Gjatë gjithë këtyre tetë muajve kam marrë vetëm falënderime nga deputetja për mënyrën se si e drejtoj grupin”, tha Balla.

Deklaratat u bënë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe situata e krijuar pas protestave të ditëve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë