Politike

‘Babale’, Berisha mbron Salianjin: Ndaj tij proces i montuar! Gjykatësit po shkelin ligjin

Sali Berisha akuzoi dy gjykatës të Tiranës se përmes manipulimit të provave dhe shkeljes së procedurave po kërkojnë që të dënojnë deputetin, Ervin Salianji.

Kreu i PD-së përmendi emrat e gjyqtarëve Artan Gjermeni dhe Petra Sadushi. Ai lëshoi akuza të ashpra sidomos në drejtim të Gjermenit, që dha vendimin në shkallën e parë kundër deputetit Salianji.

“Ai ishte një kriminel, një trafikant, një hanxhar i Bandës së Lushnjes, që ishte zgjedhur dhe në bordin e Shkollës së Magjistaturës. Ai ishte Artan Gjermeni, i implikuar në trafiqe njerëzore të qytetarëve shqiptarë drejt SHBA. Ai fshinte penalitetet e kriminelëve shqiptarë kundrejt 10 mijë eurove. Ky nuk është vetëm një rast. Janë të paktën tre denoncime, për të cilat Artan Gjermeni duhet të vuajë vite burg”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Gjermeni ka marrë mijëra e mijëra euro për të liruar të burgosurit nga burgu i Peqinit.

“Ky gjykatës i markës mafioze, arrin të dënojë për llogari të klanit mafioz të Xhafës, për veprën për të cilën ata meritojnë dekoratë nga shteti ligjor”, deklaroi ai.

Më pas, akuzat shënjestruan gjyqtaren e Apelit, Petra Sadushi, që do të shqyrtojë dosjen në shkallën e dytë. Sipas Berishës, dosja duhej të ishte tërhequr.

“Gjykatësja Petra Sadushi në Gjykatën e Apelit, burri i të cilës është i lidhur kokë e këmbë me klanin Xhafaj dhe është komisari politik i partisë në drejtësi, ka hedhur shortin dhe ka caktuar datën e gjykimit. Në vend të tërheqjes së menjëhershme nga procesi, ajo ka marrë përsipër të çojë më tej, veprën kriminale të mafies shqiptare në radhët e drejtësisë”, vijoi Berisha.

Berisha foli për një proces krejtësisht të montuar ndaj Salianjit, që sipas tij synon t’i heqin mandatin e deputetit.

“Montim i shpifur, i turpshëm, manipulimi në mënyrat më të vjetra të policisë sekrete, për të deformuar realitetin. Në këtë akt kriminal, janë të implikuar direkt Ardi Veliu, famëziu Nushi, që është në arrest sot. Janë implikuar punonjësit e SHISH, të cilët sikur të ishin agjentë të sigurimit të Enver Hoxhës, sapo morën vesh që bëhej fjalë për Agron Xhafën, shkelmuan mbi detyrën dhe ligjin dhe deklaruan se zëri ishte i Agron Hysenit, deklaratë që e hodhi poshtë si trillim laboratori i analizës së zërit në Britaninë e Madhe,” tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë