Sport

Babai fitonte me “Dorën e Zotit”, i biri sfidon anglezët në Uimbëlldon

Një histori interesante në turneun e Uimbëlldonit, ku në kategorinë e të rinjve merr pjesë edhe argjentinasi Roman Burruçaga. Një mbiemër i njohur për anglezët. Babai i tenistit të ri është Horge Burruçaga, i cili ishte në fushë bashkë me Maradonën në çerekfinalen e famshme të Botërorit të 1986-ës.

Një ndeshje kjo e identifikuar me termin “Dora e Zotit”, pasi Diego Armando Maradona shënonte një gol me dorë, duke eliminuar anglezët. Tani, shumë vite më pas, djali i Horge Burruçagës, Roman, kërkon të bëjë për vete Anglinë në mënyrën e vet: në turneun e të rinjve në Uimbëlldon. Roman Burruçaga është 17 vjeç dhe ka debutuar në këtë turne me një fitore. E ka bërë para syve të babit Horge, i cili nuk pati mundësinë ta shoqëronte të birin në Paris, ku në maj u zhvillua turneu Roland Garros. Sigurisht që nuk mund ta humbiste mundësinë për ta parë në Londër. “E kishte me dy mendje për të ardhur. Gjithsesi, nuk e shoh gjatë ndeshjes”, - ka thënë i riu Burruçaga, ndërsa babai i tij ka pranuar se vuan gjatë ndeshjeve të të birit, sidomos kur i ndjek nga afër.

Roman Burruçaga

Burruçuga ka luajtur kundër Anglisë në çerekfinalen e Botërorit të Meksikës, më 22 qershor 1986, në stadiumin “Azteca”. Një ndeshje që ka mbetur në librat e historisë për të famshmen “Dora e Zotit”, me të cilën Maradona shënoi një nga dy golat që eliminuan Anglinë. Një javë pas asaj ndeshjeje, Argjentina u shpall kampione bote për herë të dytë në histori, duke mundur Gjermaninë 3-2, falë një goli pikërisht të Horge Burruçagës 7 minuta para fundit. Dhe 17 vite më pas lindi Roman, i cili tani kërkon ta pasurojë traditën familjare të fitoreve sportive.

Burruçaga shënon golin e fitores për Argjentinën në finalen e 1986-ës ndaj Gjermanisë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë