Bota

Avokatja Powell: Aktorë të huaj, përfshi Serbinë vodhën votat e Trump

Avokatja Sidney Powell që po kundërshton rezultatet e zgjedhjeve në SHBA ka zgjeruar sot gjeografinë e atyre që akuzon si manipulues të votave në zgjedhjet amerikane duke përfshirë edhe Serbinë.
Deklarata e saj vjen një ditë pasi ekipi i avokatëve të Presidentit Donald Trump e ka përjashtuar avokaten, mbase për shkak të akuzave dhe deklaratave hiperbolike dhe shumë të skajshme që ka bërë në ditët e fundit.

Powell ka bërë më në fund një deklaratë, me anë të të cilës pranon se është duke vepruar më vete, por për të njëjtën kauzë. Ajo ka theksuar se nuk do të lejojë që “Republika të vidhet nga komunistët brenda dhe jashtë vendit apo që votat tona të ndryshohen apo manipulohen nga aktorë të huaj në Hong Kong, Iran, Venezuelë, apo Serbi”.

Se si ka ndodhur ky manipulim, sidomos nga një vend si Serbia është një nga misteret më vete të avokates, për të cilën mbështetësit e Presidentit Trump tani janë të ndarë.

Serbia në përgjithësi ka preferuar fitoren e Presidentit Trump për shkak të angazhimit të Joe Biden kur ishte senator në mbështetje të Kroacisë, Bosnjes dhe pastaj Kosovës. Shumë kroato-amerikanë dhe boshnjako-amerikanë kanë punuar në fushatën e kandidatit Biden kur ende nuk dihej nëse do të fitonte garën në Partinë Demokrate. Deklarata nga fushata e kandidatit Biden kushtuar marrëdhënieve me shqiptarët, Kosovën dhe Shqipërinë, vetëm sa i shtoi paranojat serbe se ku mund të jetë një president anti-serb. Mbetet për t’u parë si gjithmonë, nëse avokatja Powell ka vërtet ndonjë dëshmi për të mbështetur deklaratat e saj, përfshi edhe këtë të Serbisë.

Mes të akuzuarve nga Sidney Powell tani është edhe guvernatori republikan në Georgia, Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr, CIA, elita globaliste e shumë të tjerë etj. Ajo tha se makinat elektronike të prodhimit Dominion që numërojnë votat dhe programi Smartmatic kanë kthyer miliona vota nga Trump te Biden dhe se serverët e këtyre makinave në Gjermani janë sekuestruar tani nga ushtria amerikane për hetim.

Ushtria amerikane reagoi shpejt dhe lëshoi një deklaratë që thoshte se nuk ka ndodhur ndonjë sekuestrim serverësh në Gjermani. Si pasojë, të hënën, ekipi i avokatëve të Presidentit Trump deklaroi se Sidney Powell nuk është pjesë e grupit dhe se është duke vepruar më vete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë