Menaxhim

Avokati i Popullit i kërkon Ministrisë së Drejtësisë që të mbyllë 5 burgje

Nga Gazeta Si- Avokati i Popullit i ka kërkuar ministrisë së Drejtësisë që të mbyllë 5 burgje në vend, pasi sipas institucionit, cenojnë dinjitetin njerëzor dhe kanë degraduar.

Në raportin vjetor mbi gjendjen e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, për 2025-ën, kërkon mbylljen e burgut të Burrelit, Kosovë-Lushnjë, Kukës, si dhe burgjet “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313), godina A.

Gjetjet bazohen në inspektimet e kryera në 18 IEVP gjatë vitit 2025, si edhe në 115 ankesa të trajtuara nga të burgosur dhe familjarët e tyre.

Sipas raportit, mbipopullimi mbetet një tjetër nga problemet më të mëdha në disa institucione. Situata më kritike paraqitet në IEVP Lezhë, ku mbipopullimi arrin në 65%, ose 181 persona mbi kapacitetin e parashikuar. Ndërkohë, në burgun “Jordan Misja” mbipopullimi është 11%, në Vlorë 10% dhe në Fushë-Krujë 2.4%.

Shqetësuese është edhe situata e kujdesit shëndetësor.

Në raport shkruhet se në shumicën e burgjeve nuk ka mjekë me kohë të plotë dhe, aty ku janë të pranishëm, shërbimi ofrohet vetëm katër orë në ditë.

Raporti evidenton edhe mungesën e autoambulancave, vështirësitë për konsulta nga specialistë si dhe refuzimin e trajtimit të të burgosurve nga spitalet rajonale për arsye sigurie.

Gjithashtu, Shqipëria nuk ka një institucion të specializuar për trajtimin e të burgosurve me probleme të shëndetit mendor.

Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkon Ministrisë së Drejtësisë rishikimin e politikës së paraburgimit, hartimin e një plani të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje dhe mbylljen e pesë institucioneve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë