Sport

Australian Open, Williams kalon Halep në sfidën e mbretëreshave

Fituesja e 23 turneve, Serena Williams, ka mundur në tre sete tenisten rumune Simona Halep, e cila tashmë rrezikon fronin botëror. Serena ka luftuar fort, ka shtrënguar dhëmbët dhe ka treguar vlerat e saj. Me uniformën jeshile, që dy vjet më parë ka triumfuar në Melburn, ndërkohë që ishte në pritje të fëmijës, ajo ka eliminuar numrin 1 në botë, Simona Halep, që sheh tashmë t’i dridhet froni. Pas Maria Sharapovës, që u eliminua dje, nga “Australia Open”, në ditën e 8-të të turneut, largohet edhe numri 1 në botë.

Serena e fitoi me lehtësi setin e parë, që zgjati 20 minuta dhe u mbyll 6-1. Halep në setin e dytë tregoi krenarinë e saj dhe arriti të barazonte. Më i ekuilibruar ishte seti i tretë, ku Williams shfaqi më shumë dëshirë dhe fitoi. Amerikania synon të fitojë trofeun e 24-t në një turne, duke barazuar Margaret Court. “Për mua është një nder të jem sërish këtu dhe të luftoj, - tha Williams. – Është puna ime, është ajo që dua të bëj”. Në momentin e prezantimit ndodhi një episod interesant, që tregon se numri 1 në botë është Serena Williams. Kur spikeri tha numri 1, Serena hyri në fushë, por më pas u fut me shpejtësi brenda, pasi ishte radha e Simona Halep në fakt.

Serena Williams dhe Simona Halep takohen pas ndeshjes

Japonezja Naomi Osaka dhe ukrainasja Elina Svitolina u kualifikuan të parat për në çerekfinale. Osaka mundi 4-6, 6-3 dhe 6-4 letonezen Anastasjia Sevastova, kurse Svitolina kaloi amerikanen Madison Keys 6-2, 1-6 dhe 6-1. Fitore me përmbysje për “japonezen e hekurt”, e cila i ka çuar në 11 sukseset e njëpasnjëshme në Grande Slam. Në çerekfinale Naomi Osaka do të përballet me Elina Svitolina, së cilës gjithashtu iu deshën tre sete për të eliminuar amerikanen Madison Keys. Momenti vendimtar i ndeshjes ishte gejmi i tretë i setit të tretë, ku u deshën 28 pikë dhe Madison Keys humbi 5 topa break.

Naomi Osaka

Është kualifikuar edhe Karolina Pliskova, e cila i lejoi kundërshtares së saj Garbine Muguruza vetëm 4 gejme. Pliskova fitoi 6-3 dhe 6-1 në një ndeshje që zgjati vetëm 60 minuta. Nesër luhen dy çerekfinalet e para, Anastasia Pavlyuchenkova kundër Danielle Collins dhe Ashleigh Barty kundër Petra Kvitova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë