Bota

Australi, humb një kapsulë radioaktive e vogël, por potencialisht vdekjeprurëse

Gazet Si - Ka përmasa vetëm 6 me 8 milimetra, megjithatë është "e aftë të shkaktojë dëme serioze në shëndet" (është "potencialisht vdekjeprurëse", siç raportohet nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’), sepse përmban cezium radioaktiv-137.

Kështu ka pranuar një zëdhënës i gjigantit minerar anglo-australian, “Rio Tinto” në lidhje me një kapsulë të vogël që kompania thjesht "e humbi" midis Perth dhe Newman, në Australinë Perëndimore.

Kapsula - një "matës i densitetit", i përdorur zakonisht në industrinë e minierave - mund të shkaktojë sëmundje serioze nëse preket.

“Ne e kuptojmë se kjo është qartësisht shumë shqetësuese dhe na vjen keq për alarmin që ka shkaktuar”, tha një zëdhënës i kompanisë për BBC. Për fat të mirë, zona ku ajo humbi është shkretëtirë.

"Ekspozimi ndaj kapsulës është i barabartë me marrjen në moment të sasisë së rrezatimit natyror që marrim në një vit", shpjegoi drejtori rajonal i shëndetësisë, Andrew Robertson.

Është e paqartë se si ka humbur kapsula, edhe pse dyshohet se mund të ketë rënë nga një kamion.

Regjistrimi i fundit që kemi për të, është largimi nga miniera Gudai Darri më 12 janar në bordin e një automjeti të specializuar të pajisur me një numërues Geiger, i cili nuk ka lëshuar kurrë sinjale.

Ndërsa alarmi për zhdukjen e tij, është dhënë vetëm më 25 janar të këtij viti.

“Përveç mbështetjes së plotë të autoriteteve përkatëse, ne kemi nisur hetimin tonë për të kuptuar se si kapsula humbi gjatë tranzitit”, tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i kompanisë “Rio Tinto Iron Ore”, Simon Trott.

Pajisja, e përbërë prej argjendi, po përdorej në vendin e saj të minierave Gudai-Darri në Australinë Perëndimore për të matur densitetin e mineralit të hekurit që nxjerr miniera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë