Art dhe Kulture

‘Aulona Inter Folk Festival’, manifestim trashëgimisë kulturore të popujve

300 festivalistë nga vende të ndryshme, në edicionin XVI të “Aulona Inter Folk Festival”, kanë sjellë prej 25 majit në Vlorë këngë, valle dhe kostumet shumëngjyrëshe.

Ky festival që organizohet prej 16 vitesh në qytetin e Vlorës është një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut vendas, europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona” dhe me mbështetjen e bashkisë së Vlorës.

Pjesëmarrësit e këtij festivali janë nga Shqipëria, Rumania, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia e Ukraina.

Drejtori i përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli tha për ATSH-në se “festivalet e folkut, në qytet, janë më shumë se një paraqitje konkurruese e grupeve pjesëmarrëse, sidomos në një festival ndërkombëtar”.

“Në festival po prezantohen tradita, zakonet dhe gurra e trashëgimisë së mrekullueshme të popujve pjesëmarrës. Por grupet pjesëmarrëse nuk u ngjitën vetëm në skenën e festivalit të vendosur në sheshin përpara stadiumit të futbollit “Flamurtari”, por edhe në mjediset e shumta publike, rrugë e sheshe, që mbajtën peshën e rëndë të ngjyrave të kostumeve, tingujt e këngëve dhe ritmet e valltarëve”.

Grupet pjesëmarrëse e kanë ndezur atmosferën përgjatë tre ditëve nëpër qytet, me vallet, muzikën, veshjet e tyre, nëpër sheshe dhe pika të ndryshme./ATA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë