Futboll

Atletiko fiton derbin dhe merr trofeun e parë europian kundër Real

Nuk mund të jetë e njëjtë një skuadër kur largohet një lojtar si Kristiano Ronaldo dhe një trajner si Zinedin Zidane. Real Madrid e ka humbur trofeun e parë sezonal përballë rivalëve të qytetit, Atletiko Madrid, që ka fituar 4-2 Superkupën e Europës.

“Los Blancos” e dominuan ndeshjen për pjesën më të madhe të saj, por në fund çdo gjë doli nga kontrolli për teknikun Lupetegui. Nga ana tjetër skuadra e Diego Simeone tregoi se është gati për sezonin e ri dhe do të kërkojë të bëjë surprizën në kampionat, por pse jo të shkojë së ma larg të jetë e mundur në Europë.

Takimi filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për “Los Colchoneros”, teksa në minutën e parë është Diego Kosta që gjen rrugën e rrjetës për të kaluar të tijtë në avantazh. Real Madrid gjendet në befasi dhe kërkon të reagojë edhe pse has jo pak vështirësi.

Pas një sërë tentativash, është Benzema që ka barazuar, pas një asisti të marrë nga Bale. Pjesa e dytë do të fillonte në barazim, por me Real Madrid që kontrollon lojën dhe kërkon golin. Avantazhin madrilenët do e gjenin nga pika e bardhë e penalltisë, ku ai që shënon është Sergio Ramos.

Me avantazhin në krahun  e saj, skuadra e Lupetegiu kërkon të administrojë lojën, por në të 79’ Diego Kosta çon shifrat në baraspeshë. Ndeshja shkon në kohën shtesë, aty ku Atletiko Madrid kishte më shumë energji dhe arriti të marrë me vete këtë kupë të parë sezonale në arenën ndërkombëtare. Shënuan dy herë Saul dhe Koke, për ta cuar ndeshjen në rezultatin final 4-2.

Real Madrid tregoi në këtë ndeshje që është në nivele të larta, por që do e vuaj mungesën e Ronaldo dhe Zidane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë